KRTRSH miraton Unazën e Madhe

15/11/2010 15:00

Këshilli i Rregullimit të Territorit miratoi projektin e dy segmenteve të Unazës së Madhe të Tiranës.

Segmenti i pare nis në Babrru dhe ecën përgjatë lumit deri në urën e Kamzës, ndërsa i dyti fillon në zonën e Saukut dhe përfundon tek Shkolla Teknologjike. Të dy projektet kanë një vlerë prej rreth 135 milionë euro.

“Pjesa veriperendimore e unazes qe eshte edhe segment i Rruges se Arbrit, është rruga me e gjere qe ndertohet ne historine e vendit. Ky segment do te shpetoje kryeqytetin dhe do te lehtesoje gjithe trafikun qe vjen nga rruga e Arbrit dhe shkon ne bregdet”, tha Berisha.

Kryeministri akuzoi bashkinë se ka mbajtur peng Unazën e Madhe të Tiranës edhe pse qeveria i ka siguruar fondet për ndërtimin e saj.

“Morën përsipër ta marrim kredinë si qeveri dhe t’ia japim bashkisë, por bashkia nuk donte që të kishim një investim të përbashkët”, tha Berisha.

Votimi i projekteve të unazës u parapri nga një fjalim i gjatë politik i Berishës, në qendër të të cilit ishte kundërshtari i tij politik, Edi Rama.

“Tirana është qyteti me trafikun më problematik, kryeqytet i vetëm që nuk ka një parking edhe pse kryetari ka tre mandate rresht ne detyre. Ne trefishuam grantet, kryetari i la njerezit ne balte dhe te mbytur ne ujera. Kurre nga themelimi deri më sot, qyteti nuk ka përjetuar braktisje totale, sic ka përjetuar këto katër vitet e fundit. Mund të themi se Tirana hyri në kuti”, tha Berisha..

Top Channel