Izraeli, “kaos nëse dështojnë negociatat”

15/11/2010 17:05

Një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete izraelite ka deklaruar se dalja e mundshme e lidershipit palestinez nga negociatat për paqen do të ishte një hap prapa për Izraelin.

“Situata në Bregun Perëndimor ka qenë më mirë se një dekadë më parë, por ajo mund të kthehet sërish në kaos”, ka paralajmëruar ish-zyrtari, i cili ka preferuar të mbetet anonim.

“Kreu i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmoud Abbas dhe kryeministri Salam Fayyad kanë qenë kombinimi më i mirë”, është shprehur ai për BBC.

Sipas tij, edhe pse ata të dy nuk e pëlqenin njëri-tjetrin, ishin dakord se terrorizmi po e dëmtonte kauzën palestineze dhe se duhej mbështetur forca palestineze e sigurisë.

Top Channel