Arsimi, opozita: Po bien investimet

15/11/2010 20:20

Investimet në arsim për vitin e ardhshëm kanë pësuar rënie, në krahasim me një vit më parë.

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka sqaruar para deputetëve të komisionit të arsimit se në vitin 2011 për investime do të përdoren 4.9 miliardë lekë.

“Ne planifikojmë që në 2011-ën të ndërtojmë 100 shkolla në arsimin parauniversitar. Gjithashtu, ne synojmë ndërtimin e kampuseve të para për universitetet, si ai për Vlorën dhe ai për Tiranën”, ka deklaruar Tafaj.

Ministri i Arsimit tha se është parashikuar punësimi i 300 pedagogëve dhe rikonstruktimi dhe ndërtimi i të paktën 100 shkollave të reja.

Kryetarja e komisionit Valentina Leskaj tha se buxheti për arsimin ka pësuar rënie dhe është i pamjaftueshëm për të plotësuar të gjitha nevojat e qytetarëve.

“Buxheti i arsimit ka rënie në raport me GDP-në, sic rezultojnë shifrat e paraqitura dhe nëse krahasohet me të dhënat e kaluara”, ka deklaruar Leskaj.

Kreu i arsimit nuk deklaroi asnjë shifër mbi rritjen e pagave, por garantoi se nuk do të ketë shkurtime përsa i përket të gjithë punonjësve të sistemit parauniversitar.

Top Channel