Ambasadori holandez: Zgjidhni krizën

15/11/2010 22:50

Mesazhi për zgjidhjen e krizës është përsëritur në Durrës edhe nga ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Henk Van Del Dool.

Duke folur për situatën politike, ai u shpreh se palët nuk duhet të fajësojnë njëra–tjetrën, por duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për problemet, pasi raporti i Komisionit Europian ishte një këmbanë e fortë alarmi.

“Para së gjithash do të doja të përgëzoja gjithë shqiptarët për liberalizimin e vizave. Por, gjithashtu, do të doja t’iu kujtoja të gjithëve për përgjegjësitë që vijnë nga liberalizimi i vizave. E di që nuk jam i vetmi që i theksoj këto përgjegjësi, por ky mesazh duhet përsëritur sa më shpesh. Është e mrekullueshme që shqiptarët do të jenë në gjendje të udhëtojnë nga mesi i dhjetorit pa viza në vendet Shengen, por, ju lutem, kini parasysh që kjo nuk është për një kohë të gjatë qendrimi, nuk është për leje qendrimi, nuk është për punë. Por do të theksoja gjithashtu se nga ana tjeter, opinioni i Komisionit Europian javën e kaluar për integrimin europian të Shqipërisë ishte një lajm i keq. Shpresoj që çdokush në Shqipëri, e gjithë klasa politike, majtas apo djathtas do ta konsiderojë këtë opinion si një zile për zgjim. Unë mendoj se Shqipëria humbi një shans. Dhe nuk është mirë që njëra palë t’ia hedhë fajin tjetrës. Mendoj se është vërtet e rëndësishme që të gjitha partitë politike të bashkohen në një përpjekje të përbashkët për të ndihmuar Shqipërinë, në mënyrë që vendi të jetë në gjendje të marrë statusin e vendit kandidat. Kjo kërkon angazhim, kërkon shumë punë, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita”, tha ambasadori Henk Van Del Dool.

Top Channel