Aksidenti i Fratarit, shpëtimi i pasagjerëve

15/11/2010 19:50

Brenda pak sekondash nga fillimi i tragjedisë, autobusi 50 vendësh ndaloi. Nëse mund të përdoret fjala fat në këtë rast, atëherë kjo vlen për ambulancën e Sarandës që rastësisht po transportonte një të sëmurë drejt Tiranës dhe u shkëmbye me autobusin, ndërkohë që po binte.

Gentian Dervishi është me siguri një nga heronjtë e operacionit të shpëtimit që filloi me një telefonatë.

“Në një moment ka telefonuar kryetarja e komunës së Fratarit dhe ka thënë që në Ziaj ka rënë një autobus dhe ka nevojë për ndihmë. Jemi ngritur të gjithë siç ishim”, tregon Gentiani.

Nuk kanë pritur më shumë se 5-10 minuta pasagjerët fatkeqë. Ata ndodheshin 100 metra larg rrugës nacionale nëpër një terren tepër të vështirë.

“Nuk kishte asnjë lloj ndriçimi dhe jemi përpjekur që të nxjerrim njerëzit nga autobusi. Disa prej tyre kishin dalë jashtë dhe gjendeshin të shtrirë dhe nuk mund të ecnin dot”, shprehet Gentiani.

Ndërkohë që Gentian Dervishi kishte mbërritur poshtë, ambulanca e spitalit të Tepelenës ishte vetëm 5 kilometra larg. Lexhino Hysi ishte infermieri i parë që mbërriti.

“U ndodhëm në zonën e Krasit. Siç ishin mbledhur shumë njerëz përreth dhe po ndihmonin në nxjerrjen e njerëzve”, thotë Lexhino.

Operacioni i shpëtimit është kryer në shumicën e tij nga banorët e Fratarit, duke përfshirë nxjerrjen e trupave të bllokuar nga autobusi, ngjitjen e tyre lart dhe proçedurat e ndihmës së parë.

“Njerëzit tërhiqeshin dhe i nxirrnin nga dritaret. Në fillim i nxirrnin dhe i linin jashtë”, thotë Lexhino.

Dy të mbijetuarit që ne kemi intervistuar nuk mund ta harrojnë operacionin e shpëtimit.

“E kishin hequr sediljen me çelësa. Tetë veta më hipën lartë duke më vënë në një batanije”, thotë Nailea.

Gentiani pati atë natë detyrën e rëndë të merrej me ata që kishin ndërruar jetë pasi ishte i vetmi që kishte eksperiencën që e bënte të përballonte atë pamje macabre.

“Vetëm me dritën e telefonit kam dalluar tre veta që ishin të vdekur dhe shumë të tjerë të goditur nga mjetet e forta” shprehet Gentiani.

Ndërkohë që të gjithë bënin ç’të mundnin, mbërriti ambulanca e dytë dhe një nga infermierët që pa nga afër autobusin, ishte Azbi Ruka.

“Nuk kishte shumë dritë. Pash nja dy njerëz që ishin mbuluar me batanije dhe i çuam në spital”, thotë Azbiu.

Ndërkohë që pyesim rreth operacionit të shpëtimit numri i atyre që janë gjetur të vdekur është 6. Por çfarë po ndodhte me të plagosurit? A ishte organizuar ndonjë operacion specifik për t’i nxjerrë ata nga autobusi kur është e ditur se në raste të tilla, jeta dhe vdekja e njeriut janë të lidhura si me fije peri, me kujdesin që tregohet gjatë nxjerrjes së tyre nga mjeti i aksidentuar.

Besnik Lamçe, reanimator urgjence transportuese tregon si duhet vepruar në këto raste.

“I pari që konstaton një aksident që ka njerëz të dëmtuar, nëse është në gjendje për të ndaluar një hemoragji ose për ta nxjerrë pa tërheqje. Duhet kuptuar se trauma jep demtime të kolonës vertebrale”, tregon Besniku.

Duhet thënë shumica e pasagjerëve kishin ngecur nën autobus. Por si do të kryhej nxjerrja e tyre? A e dinin fshatarët që u ofruan të ndihmojnë me shpirtgjerësi, sesi duhej ta kryenin atë punë kaq delikate?

“Kemi dashur që personave t’u jepnin ndihmën e parë dhe kemi marrë copa druri dhe kemi gërmuar dheun që ata të liroheshin dhe dilnin”, thotë Gentiani.

Pas bilancit të të aksidentuarve të 8 nëntorit një pjesë e madhe kishin fraktura dhe hemoragji të brendshme dhe në këto raste ajo që duhet bërë është shumë e qartë.

“Nuk duhen tërhequr. Më mirë ta lësh aty dhe të vijnë ekspertët. Ai duhet të jetë i çliruar dhe pastaj mund të lëvizet. Fitimi i kohës është shumë shpresëdhënës për jetën”, shprehet Gentiani.

Por a u veprua kështu edhe me të plagosurit e autobusit? Ai që qëndroi më shumë se kushdo pranë e ka parë mirë se si është vepruar me të gjithë.

“Mundoheshim që t’i tërhiqnim, duke i tërhequr prej duarsh dhe orientuar”, thotë Gentiani.

Edhe pse jo ekspertë të ndihmës së shpejtë, banorët e Fratarit bënë ç’kishin në dorë për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish. Mjerisht, edhe tre persona të tjerë humbën jetën pasi u nxorrën nga autobusi. Nuk dihet nëse do të kishin shpëtuar nëse nxjerrja e tyre do të ishte kryer nga ndonjë ekspert.

“Përfundimi i nxjerrjes së trupave me ekskavatorin ka vajtur rreth tre orë”, thotë Gentiani.

Ndërsa vlerësimi i profesionistit të vetëm që u ndodh aty ishte ky: “I nxirrnin me kujdes dhe i transportonin për tek ambulanca”, tregon Azbiu.

Top Channel