
Autobusi i agjencisë “Ktel-Janinë” që mbulon linjën Tiranë-Athinë dhe kthim, nën dretimin e 57 vjeçarit, Thoma Coga mbërriti të dielën e 7 nëntorit në kryeqytetin shqiptar. Ishte ora 9:00 e mëngjesit. Autobusi do të kryente shërbimin e radhës, sipas kalendarit të udhëtimeve.
“Autobusi mbërrin në 9 të mëngjesit, rri një natë në Tiranë dhe pastaj nisë në 15:30 të ditës tjetër”, thotë Marsela Beluli, përfaqësuese e agjencisë “Alb-Trans”.
Autobusi që do të udhëtonte për llogari të biletave të shitura nga kompania shqiptare “Alb Trans” u pozicionua për të mbledhur pasagjerët e ditës, disa prej tyre pjesëtarë të një familjeje, të mbledhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, me destinacion Greqinë ku disa prej tyre punonin si emigrantë.
“Udhëtarët ose vijnë dhe i prenotojnë biletat në agjenci, ose nëpërmjet internetit”, tregon Marsela.
Nga Tirana nisen shumë pak pasagjerë, ata verfikojnë biletat dhe sistemojnë bagazhet për të nisur një udhëtim të gjatë, 1 mijë kilometra, me disa ndalesa në tokën shqiptare. Në të tilla raste thuhet: “Rrugë të mbarë!”, por kur kjo rrugë përshkohet shpesh, instinkti shuhet dhe vëmendja e njerëzve përqëndrohet tek socializimi me bashkë-udhëtarin për të shkurtuar mendërisht distancën dhe për të shkurtuar artificialisht orët.
“Po shkoja në Greqi, preva biletën dhe i hipa autobusit, mora numrin tre. Kisa frikë mos me zinte autobusi. Kështu që u ula në vendin e gjashtë, nga krahu i shoferit, por djathtas, jo nga xhami”, shprehet Naileta Goxhaj.
Kështu u nis udhëtimi tragjik i 8 nëntorit. Një udhëtim të cilin shumë emigrantë e kryejnë tashmë edhe në mënyrë rutinore, prej shumë vitesh edhe atëherë kur gjendja e rrugëve ka qenë shumë më e keqe se kjo e sotmja.
“Bileta kushton 30 euro vajtje dhe 50 euro vatje-ardhje”, shprehet Marsela.
Tani madje, njerëzit i lejonin vetes luksin për të ardhur në Shqipëri edhe thjesht për të tërhequr një dokument.
“Kisha ardhur në Shqipëri për të marrë një dokument dhe për t’u kthyer përsëri”, thotë Naileta.
Rruga Tiranë-Durrës nga kjo linjë përshkohet pa ndërprerje, shpejtësia 50 kilometra në orë thonë zyrtarët e agjencisë. Në qytetin bregdetar është ndalesa e parë, ndërsa në Lushnje është e dyta, më e gjata pasi hipën pjesa dërmuese e udhëtarëve. Këto veprime u kryen edhe nga autobusi grek që udhëtonte në të njëjtën orë, në të njëjtën rrugë, më 8 nëntor të vitit 2010.
Në fakt mbrëmja e 8 nëntorit ishte “një natë pa hënë”, të mbijetuarit, edhe pse me koshience jo të qartë kujtojnë se ajo e hënë dhe ai udhëtim po shoqërohej me shi.
“Më duket se binte shi, nuk e mbaj mend mirë, po udhëtonim të qetë, por shoferi bëri disa manovra, siç ndodh zakonisht në raste të tilla”, shprehet Naileta.
Udhëtimi natën, në rrugën Tiranë-Athinë po vazhdonte siç kishte ndodhur qindra herë të tjera. Ndonëse kësaj radhe, udhëtarët dukeshin më të shqetësuar, për shkak të disa veprimeve të çuditshme të shoferit. Todi Prifti, një tjetër i mbijetuar i aksidentit kujton.
“Një grua u ulë tek shoferi dhe filloi të bisedonte me të. Ndërkohë një tjetër grua i foli duke i thënë kësaj gruas që mos t’i tëhiqte vëmendjen shoferit. Ky i fundit ktheu kokën për të parë kush foli dhe i iku makina nga kontrolli”, tregon Todi.
Dhe në këtë moment…
“Unë mendoj se autobusi duhet të kishte dublant. Nuk duhej që shoferi të udhëtonte vetëm. Mos e pagoftë njeri ashtu siç e paguam ne natën e 8 nëntorit”, thotë Naileta.
Ky do të ishte edhe stacioni tragjik i udhëtimit të 8 nëntorit me autobusin e linjës Tiranë-Athinë.
Top Channel