Vllaznia vazhdon të përgatitet në heshtje për duelin e së dielës me Tiranën. Skuadra shkodrane duket optimiste për transfertën e vështirë në fushën e bardhebluve për disa arsye.
Së pari sepse fitorja përballë Elbasanit gjatë fundjavës që kaloi i ka dhënë më shumë besim skuadrës, që tashmë ka shansin të ngjitet edhe më lart në klasifikim.
Një tjetër element mjaft pozitiv është trajneri Mirel Josa, i cili duket se ka kthyer harmoninë në radhët e kuqebluve, duke u dhënë rëndësinë e duhur “senatorëve”. Ndryshe nga Tirana, që është goditur nga dëmtimet dhe skualifikimet, Vllaznia do të udhëtojë drejt kryeqytetit me kontingjentin e plotë.
Faktori i fundit i optimizmit për shkodranët lidhet edhe me historinë: gjithmonë ata kanë ditur të “servirin” lojë të bukur dhe të marrin rezultat në kryeqytet.
Top Channel