Bogdani ndihet i lodhur, refuzon ftesën e Kombëtares

12/11/2010 12:00

Erjon Bogdani konfirmon se ka refuzuar ftesën e trajnerit Josip Kuzhe, për të luajtur në miqësoren e 17 nëntorit ku Shqipëria do të përballet me Maqedoninë.

Pasi ka biseduar me ndihmësit e drejtuesit të stolit kuqezi në FSHF, sulmuesi kuqezi ka kërkuar të mos jetë i pranishëm në ndeshjen në Korçë, duke nxjerrë si justifikim faktin se ndihet i lodhur, prej ngarkesës së madhe fizike, që prej fillimit të sezonit.

Megjithatë, ai theksoi se do ta shfrytëzonte mesjavën e ardhshme për t’u përqendruar vetëm te ekipi i Çezenës, që lufton për mbijetesën në Serinë A italiane. “Prej startit të sezonit nuk kam bërë asnjë moment pushim dhe natyrisht që në këto momente po e ndiej pak lodhjen”, deklaroi 33-vjeçari, që gjatë këtij kampionati ka gjetur tri herë rrugën e rrjetës në kampionat. “Objektivi im është që të rikuperoj sa më shpejt që të jetë e mundur formën optimale: kam hequr dorë nga grumbullimi në Kombëtare për ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë, në mënyrë që të jem i përqendruar vetëm te Çezena”.

Mungesa e Bogdanit do t’i japë mundësi trajnerit Kuzhe që të testojë Edmond Kapllanin, si partner të Hamdi Salihit në repartin ofensiv. Kjo bën që për sfidën me vendin fqinj, të ketë më tepër hapësira për debutimin e sulmuesit të Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi, apo për lojtarin e Dinamos, Elis Bakaj. Gjithsesi, refuzimi i “Er-Bomber” mund të cilësohet një minus për kuqezinjtë, që të mërkurën e ardhshme kërkojnë me patjetër fitoren: për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë, në ndeshjen e parë ndërkombëtare që zhvillohet në Korçë (stadiumi pritet të jetë i mbushur me të gjithë kapacitetin, edhe prej çmimeve popullore të biletave), por edhe për të harruar shpartallimin 2-0 në Minsk përballë Bjellorusisë, pas nisjes shumë të mirë të kualifikueseve në Euro 2012.

Gjithsesi, zgjedhja e Bogdanit mund të cilësohet e arsyeshme. Të mërkurën ai luajti 90 minuta në fitoren 1-0 që Çezena regjistroi përballë Lacios, ndërsa nesër (të shtunën), sulmuesi do të jetë i impenjuar në transfertën e vështirë në fushën e Fiorentinës.

Pavarësisht ndryshimeve taktike që priten nga trajneri Fikadenti, sulmuesi shqiptar do të jetë një prej titullarëve të pakët që nuk do të bëjnë pushim as në këtë ndeshje. Bogdani shtoi: “Me ngjeshjen e takimeve lodhja po ndihet, por në momentin që zbres në fushën e lojës e harroj ngarkesën fizike dhe mendoj vetëm që të paraqitem mirë për t’i shërbyer Çezenës. Fitorja kundër Lacios ishte mjaft e rëndësishme për të ndërprerë serinë e rezultateve negative dhe për t’u rikthyer te tri pikët në kampionat, të cilat na mungonin prej përballjes me Leçen. Tashmë do të udhëtojmë drejt Firences për të luajtur sa më mirë në këtë sfidë kundër Fiorentinës, duke e ditur se përballemi me një kundërshtar shumë të fortë, por që gjithsesi, e njeh dhe e ka të qartë potencialin tonë. Me shpirtin e garës që kemi shfaqur gjatë këtyre javëve të fundit, jemi të bindur se mund të luajmë si të barabartë përballë çdo skuadre, pavarësisht emrit të saj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA