
Ndryshe nga emigrantët shqiptarë që nuk kanë të drejtë vote, qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në perëndim do të kenë mundësi votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 12 dhjetor.
Ambasada e Kosovës në Britaninë e Madhe ka nisur një fushatë të gjerë sensibilizuese në mënyrë që shtetasit e Kosovës sic edhe e parashikon ligji i zgjedhjeve fillimisht të regjistrohen për të votuar.
Muhamet Hamiti, ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar shpjegon rëndësinë e të votuarit nga emigrantët, pasi sipas tij këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme që organizohen në Kosovën e pavarur.
“Republika jonë, – thotë ambasadori Hamiti, – si çdo demokraci, ka nevojë për rinovim të pushtetit në cikle të caktuara kohore. Zgjedhjet e mundësojnë këtë. Kosova e do vullnetin demokratik e të gjithë shtetasve të vet, pa marrë parasysh a jetojnë aktualisht brenda apo jashtë atdheut.”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur si afat aplikimi për t’u regjistruar përmes postës datën 16 nëntor.
Hap i parë është rregjistrimi duke plotësuar “Formularin e rregjistrimit dhe aplikimit për votim jashtë Kosove” që mund të shkarkohet nga faqja online, e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve apo të tërhiqet në ambientet e ambasadës së Kosovës në Londër.
Formulari i postohet ose dërgohet me fax, Komisionit Qëndror i cili pasi verifikon vlefshmërinë e aplikantit dërgon me postë fletën e votimit tek adresa që aplikanti ka shënuar në formular.
Kushtet për t’u përfshirë në votimin me postë janë:
Mosha 18 vjec.
Regjistrim në Regjistrin Civil të Kosovës dhe UNMIK-ut.
Posedimi dokumentin të Identifikimit të Kosovës ose të UNMIK-ut (ose pasaportën), apo ndonjë dokument tjetër që vërteton se janë shtetas i Kosovës.
Shetasit që kanë vetëm si dokument identifikimi pasaportën britanike , atëherë kanë të drejtë aplikimi nëse në pasaportë shënohet se vendlindja është në Kosovë.
Top Channel