Teuta është e pamëshirshme

09/11/2010 12:25

Teuta shkatërron Bylisin në ndeshjen e fundit të javës së 10-të në Kategorinë Superiore. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini fitoi me shifrat tenistike 6-0 në shtëpi, një rezultat që e ngre skuadrën durrsake në vendin e katërt në klasifikim.

“Djemtë e detit” kanë vendosur edhe një rekord përballë ballshiotëve të trajnerit Nikolla Ilievski: ata kanë regjistruar fitoren më të thellë të këtij sezoni. Ndërkohë, duhet theksuar fakti se një tjetër primat i kësaj jave të aktivitetit elitar në vend është shënimi i 23 golave në gjashtë sfida (3.83 gola për ndeshje), ndërsa më parë kuota më e lartë ishte 17 rrjeta (në javët 8 dhe 9), për një mesatare prej 2.83 golash për ndeshje.

Teuta nuk ka treguar aspak mëshirë për Bylisin, që pavarësisht tentativave për t’u paraqitur sa më mirë në rikthimin mes më të mirëve, vazhdon të paraqitet si një skuadër e brishtë. Ballshiotët vazhdojnë të zhgënjejnë në transfertë, ndërsa gjashtë golat e pësuar konfirmuan se renditja e tyre në vendin e parafundit nuk është surprizë.

Ndeshja në “Niko Dovana” praktikisht u mbyll vetëm pas 20 minutave lojë, me vendasit që ndodheshin në avantazh 3-0. Ndërkohë, tre golat e tjerë u shënuan në fraksionin e dytë të ndeshjes: në këtë sfidë lavdi kishte për Pepën dhe Çotën, të cilët realizuan nga dy rrjeta secili. Goleada u hap në minutën e 12-të, me sulmuesin 19-vjeçar, Brunild Pepa.

Miqtë vuajtën goditjen e shpejtë, ndërsa një autogol i pafat i ish-kapitenit të përfaqësueses U-21, Maringlen Shoshi vetëm 4 minuta më pas rezultoi thuajse fatale. Vrulli i minutave të para për Teutën nuk mbaroi me kaq, pasi në të 21-tën ishte mbrojtësi Sheta ai që trefishoi shifrat. Pepa realizoi sërish në minutën e 55-të, ndërsa në të 76-tën dhe 86-tën ishte radha e dy golave të 22-vjeçarit Mirel Çota, që në këtë mënyrë ngjitet në krye të listës së golashënuesve të Superiores, në kuotën e 6 rrjetave, aq sa Bakaj i Dinamos, Pejiç i Tiranës dhe Xhafaj i Flamurtarit.

Humbja e thellë është një goditje mjaft e fortë për Bylisin, që u kthye në Superiore si kampione e Kategorisë së Parë, por mbetet në vendin e parafundit, në kuotën e 7 pikëve, duke lënë pas vetes vetëm Elbasanin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA