Mateschitz: Red Bull nuk manipulon garat

09/11/2010 16:50

Dietrich Mateschitz, shefi i kompanisë së pijeve Red Bull, ka bërë të qartë se skuderia austriake do të trajtojë njësoj të dy pilotët e saj, Mark Webber dhe Sebastian Vettel, edhe në garën e fundit në Abu Dhabi, ashtu siç ka bërë gjatë të gjithë sezonit.

“Do të lejojmë të dy pilotët tanë të bëjnë garën e tyre dhe në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse fiton Alonso, atëherë do të thotë që nuk kemi fat”, u shpreh Mateschitz.

Mark Webber është ai që ka më shumë mundësi të fitojë kampionatin nga pilotët e “Red Bull”. Australiani është tetë pikë pas spanjollit të Ferrarit, Fernando Alonso, dhe kjo bën që edhe në rast fitoreje në Abu Dhabi, një vend i dytë do i mjaftonte spanjollit të merrte titullin kampion për pilotë.

Nëse Red Bull do të favorizonte në Brazil Webber-in, duke “urdhëruar” shokun e tij të skuadrës, Sebastian Vettel, t’i hapte rrugën në mënyrë që australiani të fitonte garën, atëherë Webber do të ishte vetëm një pikë pas Alonsos dhe do e kishte në dorë fatin e tij.

Për këtë, Mateschitz shprehet: “Nëse nuk e fitojmë kampionatin këtë vit do ta fitojmë vitin tjetër. Filozofinë tonë nuk mund ta ndryshojmë. Formula 1 është një sport dhe ne duhet të ushqejmë sportivitetin. Ne nuk manipulojmë garat siç bëjnë tek Ferrari.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA