Besa, dorëhiqet Daiu, vjen Haxhiu

09/11/2010 12:00

Përparim Daiu i ka dhënë fund aventurës së tij në krye të Besës, ndërsa drejtuesit kavajas nuk e lanë të ftohej vendi i tij, pasi po dje kanë emëruar postin e trajnerit, teknikun e ri, Gert Haxhiu.

Besa, nënkampione e vendit, fituese në fuqi e Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë është duke bërë një sezon të varfër dhe larg mundësive të futbollit tradicional kavajas. Klubi në 9 vjet të drejtimit nga presidenti Nexhat Bizhdili, ka shënuar një rekord negativ: 31 trajnerë të larguar.

Dorëheqjet – Besa e nisi sezonin me Shpëtim Duron, por ish-trajneri i Partizanit dha dorëheqjen pas javës së katërt, pas një barazimi pa gola me Teutën, pasi në 4 ndeshjet e para kishte grumbulluar vetëm 2 pikë. Në vend të tij u vu Daiu, ish-trajner i Shkumbinit, Laçit dhe Kamzës, që e kishte drejtuar edhe dy herë të tjera në rolin e trajnerit këtë ekip, në sezonin 2005-2006 (prill-maj) dhe 2006-2007 (java 5-12). Në fakt, me Daiun skuadra kavajase e nisi me një barazim 2-2 në Peqin me Shkumbinin, madje arriti dhe një fitore 2-1 me Tiranën, por dhe ky nuk arriti të grumbullojë më shumë se 6 pikë në 6 ndeshje. Por barazimi i fundit 0-0 ndaj Kastriotit, rezultoi fatal për vazhdimësinë e punës së Daiut në krye të skuadrës. Menjëherë pas ndeshjes, ai deklaroi se “skuadra nuk po funksionon, pas këtij barazimi do të rishikoj pozicionin tim në klub”. Dhe dje ka zyrtarizuar gjithçka, duke dhënë përfundimisht dorëheqjen.

Emërimi
– Largimi i tij nuk ishte i papritur, ndaj vetëm pak orë pas largimit të Daiut, presidenti Nexhat Bizhdili përzgjodhi Gert Haxhiun për të ardhmen e pankinës kavajase. Vlonjati është i treti në këtë sezon që ulet në pankinën kavajase në harkun e 11 javëve, ose më saktë fazës së parë. Haxhiu, i cili në të kaluarën e tij ka drejtuar Apoloninë, Bylisin, Skënderbeun e Partizanin, do të jetë trajneri i tretë i Besës dhe i gjashti i “serisë së dytë” të trajnerëve që ulen në pankinën e pesë skuadrave që kanë ndryshuar teknikët e tyre me të cilët nisën sezonin. “Jam i nderuar që do të drejtoj një ekip të madh si Besa, është një skuadër me emër. Prandaj është një përgjegjësi e madhe ta drejtosh atë nga pankina”, tha dje Haxhiu, menjëherë pas marrjes së detyrës.

Objektivi – Momenti nuk është më i miri, por tekniku i ri premton rikthimin e munduar të Besës. “Sigurisht që e kam marrë stolin në një moment të veçantë dhe shumë të vështirë, për vetë rezultatet negative dhe pozitat në klasifikim, sqaroi Haxhiu. Nuk do të jetë e lehtë që t’ia dalim mbanë, por unë do të punoj me shumë profesionalizëm dhe jam i bindur, se Besa do të rikuperojë terren në renditje. Lojtarët e Besës i njoh dhe kjo më ndihmon më shumë në punën time, më bën të jem i qetë dhe nuk do të humbasim kohë. Gjithsesi, do të duhet pak kohë për të arritur rezultatet që kërkojmë, ndërkohë që në ndihmë mund të na vijnë edhe disa ndërhyrje në merkaton e janarit”.

Të larguarit – Dorëheqja e Daiut e ka çuar në shtatë numrin e trajnerëve të larguar në vetëm 10 javët e para të sezonit 2010-2011 të Kategorisë Superiore. Valsi i pankinave nisi me shkarkimin e Mirel Josës nga Shkumbini në javën e 2-të (u zëvendësua nga Agim Canaj), për t’u pasuar me Ilir Spahiun e Bylisit (u zëvendësua nga Nikola Ilievski). Ndërkohë që numri i skuadrave që kanë ndërruar një herë ose më shumë trajnerë arrin në pesë: Shkumbini (1 herë), Bylis (2), Besa (2), Tirana (1), Vllaznia (1).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA