
Daniel Xhafaj ka shkatërruar Skënderbeun duke shënuar 1 gol dhe duke qenë iniciatori i 2 të tjerëve në fitoren 4-0 të vlonjatëve.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Magani kanë bërë një superndeshje përballë korçarëve të Muçës, të cilët çuditërisht në këtë sfidë nuk u paraqitën si një skuadër pretendente për titullin kampion.
Avantazhi erdhi shumë shpejt, në minutën e 5 Xhafaj ka ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke bërë që topi të përfundojë në rrjetë.
U mendua se Skënderbeu do të reagonte pas këtij goli, por korçarët ishin vetëm hija e vetvetes së tyre në fushë. Në fillimin e të dytës një 11 metërsh shumë i dyshimtë i dhënë nga Taullai në favor të Flamurtarit, u shndërrua në gol nga Sakaj, ndërkohë që Skënderbeu tashmë i rënë psikologjikisht do të luante rreth 40 minuta me 10 lojtarë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Dragushës. Goli i tretë erdhi në minutën e 66 me autor Prognin, ndërsa ai i fundit me Bajevskin.
Ky poker ndaj rivalëve direkt, e ka ngjitur skuadrën e Flamurtarit në vendin e dytë me 22 pikë, 1 më pak se Dinamo kryesuese, ndërsa Skënderbeu zbret në të 3 me 19 pikë.
Është rikthyer më në fund tek fitorja edhe Vllaznia e cila ka mundur 3-0 në “Loro Boriçi” Elbasanin. Kanë mjaftuar vetëm 45 minutat e para që shkodranët të marrin 3 pikët e shumë dëshiruara me golin e Nallbanit dhe dopjetën e Vioresin Sinanit, dhe të ngjiten në vendin e 6 me 14 pikë.
Java e 10 e Superligës do të mbyllet të hënën me sfidën Teuta – Bylis.
Top Channel