Derbi kryeqytetas, “bie” Lacio

07/11/2010 17:40

Lacio ka pësuar humbjen e dytë në këtë sezon të Serisë A, pikërisht në ndeshjen që “nuk duhej” humbur, në derbin kryeqytetas me Romën.

Dy penalti të akorduara nga gjyqtari i takimit në 45 minutëshin e dytë të ndeshjes vendosën fatet e këtij takimi. 11 metërshi i parë u ekzekutua nga Borrielo, i cili nuk gabon dhe zhbllokon rezultatin. 3 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit një tjetër 11 metërsh shndërrohet në gol nga Vuçiniç, gol ky që vulos edhe fatet e këtij takimi që u shoqërua nga një tension i lartë mes tifozerive në shkallët e stadiumit dhe futbollistëve në fushë.

Ndërkohë Milani ka arritur të marrë një 3 pikësh të rëndësishëm në luftën për kreun duke mundur Bari në transfertë me rezultatin 2-3. Golat për kuqezintjë u shënuan nga Ambrozini në minutën e 4, Flamini në minutën e 31 dhe Pato në minutën e 72. Për vendasit shënoi Kutuzov në minutën e 65 dhe Barreto në minutën e 90.

Juventus pas zhgënjimit në mesjavë në Ligën Europiane rikthehet tek fitorja duke mundur Çezenën me rezultatin 3-1. Bardhezinjtë edhe pse ndodhen në situatë alarmante për shkak të dëmtimeve të shumta, arritën të përmbysin golin e shënuar më parë nga miqtë me Himenez që në minutë e 11. Ai që barazoi rezultatin ishte kapiteni Del Piero me një 11 metërsh në minutën e 31, për të ardhur tek goli i dytë i shënuar nga Kualjarela në minutën e 43 dhe tek i treti që vulosi rezultatin i shënuar nga Jakuinta në minutën e 88.

Për t’u theksuar mbetet fakti që Çezena luajti për rreth 50 minuta me 10 lojtarë, ndërkohë që në fushë ishte edhe sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani për 70 minuta.

Ndeshjet e tjera të javës së 10 të Serisë A dhanë këto rezultate: Fiorentina-Kievo 1-0, Napoli-Parma 2-0, Sampdoria-Katania 0-0 dhe Udineze Kaljari 1-1.

Pas këtyre ndeshjeve Lacio vazhdon të mbajë kryesimin me 22 pikë, tashmë vetëm 2 pikë larg vendit të dytë që mbahet nga Milani, ndërkohë që në vendin e tretë renditet Inter me 19, për të ardhur tek Juventus e Napoli me nga 18 pikë.

Takimi i mbrëmjes mes Palermo dhe Xhenoas mbyll javën e 10 të Serisë A.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA