Superliga, Dinamo frenohet nga Laci

06/11/2010 19:15

Dinamo, kampione në fuqi dhe udhëheqëse e kampionatit, është befasuar në “Qemal Stafa” nga Laci, pasi ka barazuar 3-3.

Kryeqytetasit kanë kaluar të parët në avantazh në minutën e ‘7 me Emiliano Vilën, por skuadra e Lacit ka reaguar në të gjitha rastet e dizavantazhit shumë mirë.

Golit të mesfushorit dinamovit, që u pasua me dy golat e tjerë të Bakajt dhe Sefës, lacianët iu përgjigjën me Milen, Kastratin dhe Kajën në kohën shtesë, duke mos i dhënë mundësinë skuadrës së Dinamos që të shkëputej nga dy ndjekësit e afërt, Skëndërbeu dhe Flamurtari.

Gjithësesi, kjo ishte një ndër sfidat më emocionuese të ndeshjeve të para të javës së dhjetë të Superligës, që ka dhuruar spektakël deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit që sinjalizoi mbylljen e këtij takimi, duke u ndarë nga një pikë të dy ekipeve.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Tirana në Peqin, ku ka arritur të përmbysë rezultatin e të fitojë në transfertë përballë një kundërshtari të fortë.

Grizha shënoi për vendasit që në minutën e ‘17 të këtij takimi duke dhënë përshtypjen e fitores së lehtë të Shkumbinit, i cili është i pathyeshëm në fushën e tij.

Por pjesa e dytë ka treguar një tjetër Tiranë. Pejic në minutën e ‘58 ka shënuar golin e barazimit, ndërkohë që avantazhi i bardhebluve vjen me anë të Zizovic, i cili kalon topin në rrjetë aty ku më pak e priste portieri kundërshtar.

Surprizat e 24 herë kampionëve të Shqipërisë mbyllen në mënyrën më të mirë të mundshme. Goli i tretë i Tushes, i rrallë për kampionatin tonë, i siguron tre pikë të arta skuadrës së Nevil Dedes, e cila ngjitet në vendin e katërt në kuotën e 15 pikëve.

Ndeshja e tretë e së shtunës ishte ajo mes Besës dhe Kastriotit, e cila u mbyll me rezultatin e bardhë që pak i vlente të dyja skuadrave 0-0.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA