
Çmimi i naftës në tregjet e huaja ndërkombëtare ka prekur nivelin më të lartë të 6 muajve të fundit.
Duke iu referuar tregut amerikan dhe bursës së Nju Jorkut, dje një fuçi naftë u shit për 87 dollarë, madje në disa momente ky nivel u kapërcye.
Ekspertët ia faturojnë këtë rritje të çmimit lëvizjeve monetare që po bën Banka Qendrore Amerikane (FED) dhe planit për të hedhur në treg 600 miliardë dollarë. Sakaq, në Bursën e Londrës, nafta Brent (e Detit të Veriut) u shit me 87,78 dollarë/fuçia.
Ndikim në rritjen e çmimit të naftës po jep padyshim edhe dobësimi i monedhës amerikane, dollar, i cili në raport me euron sa vjen dhe nënçmohet.
Në vitin 2010, çmimi i naftës për fuçi në tregun ndërkombëtar është karakterizuar nga një qëndrueshmëri brenda kufijve 70-85 dollarë amerikan.
Kjo prirje e çmimit nisi në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, periudhë e cila përkon me përmirësimin e aktivitetit ekonomik në botë.
Tremujori i tretë i vitit 2010 regjistroi një çmim mesatar të naftës për fuçi prej 76.8 dollarësh amerikanë, vlerë mesatare kjo rreth 12.9 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Stabilizimi i çmimit të naftës për fuçi në tregun ndërkombëtar është përçuar edhe në çmimin e naftës në tregun me pakicë të vendit tonë, ku rol kyç në luhatjen e çmimit ka luajtur kursi i këmbimit të lekut me dollarin amerikan.
Top Channel