Dede: Titulli merret me fitoret jashtë

06/11/2010 13:20

Tirana vazhdon të synojë titullin kampion. Pavarësisht ecurisë jo të mirë dhe oshilacioneve që skuadra ka treguar në këtë fazë të parë të Kategorisë Superiore, bardheblutë nuk dorëzohen.

Kjo konfirmohet nga trajneri Nevil Dede, i cili kërkon tri pikët e para sezonale në transfertën e Peqinit, përballë Shkumbinit.

Momentalisht, 24 herë kampionët renditen në vendin e pestë në klasifikim, ndërsa në 9 ndeshjet e para kanë grumbulluar vetëm 12 pikë. Shifrat nuk janë aspak të kënaqshme për një skuadër si ajo kryeqytetase: me mesatarisht 1,3 pikë në ndeshje, deri në këtë fazë të sezonit ata janë plotësisht jashtë objektivave. Bardheblutë kanë regjistruar vetëm 3 fitore (të cilave u shtohen 3 barazime dhe 3 humbje). Diferenca nga Dinamo kryesuese është 10 pikë, skuadra ka shënuar 11 gola (reparti i pestë më produktiv në elitë, së bashku me atë të Bylisit) dhe ka pësuar 9 rrjeta (një më shumë se Teuta e vendit të gjashtë me pikë të barabarta dhe dy më shumë se Dinamo, Skënderbeu e Flamurtari). Megjithatë, e dhëna më shqetësuese është se Tirana ende nuk ka arritur të fitojë 3 pikët në ndeshjet jashtë fushe gjatë këtij edicioni. Rreth kësaj çështjeje, tekniku Dede ka deklaruar se skuadra duhet të ndryshojë sjelljen në fushë, pasi për të luftuar deri në fund për kampionatin janë pikët në fushën kundërshtare ato që vendosin. Ai e ka vendosur theksin te fakti se bardheblutë kanë luajtur 5 ndeshje në transfertë, nga të cilat kanë humbur tri herë (me Flamurtarin në javën e 2-të, Skënderbeun në javën e 6-të dhe Besën në javën e 8-të), ndërsa kanë marrë vetëm dy barazime (me Elbasanin në javën e parë dhe Kastriotin në javën e 4-t). Drejtuesi i stolit deklaroi: “Për të fituar titullin kampion ose të paktën për të luftuar deri në fund me rivalët është e domosdoshme që të fitosh në ndeshjet jashtë fushe. Tirana ende nuk i ka shijuar pikët e plota në transfertë gjatë këtij sezoni, por nuk duhet të harrojmë se kemi luajtur plot pesë ndeshje nëpër rrethe”.

Dede shtoi se tashmë ka ardhur koha që bardheblutë t’i japin një tjetër rrjedhë sezonit të tyre, duke nisur pikërisht nga ndeshja me Shkumbinin. “Nuk jemi në pozita komode dhe diferenca me vendin e parë është e konsiderueshme. Në këtë situatë mund të them se Tiranën e ngrenë vetëm 3 pikët jashtë. Nuk jemi një skuadër që duhet të kënaqemi vetëm duke luajtur mirë dhe duke fituar në fushën tonë. Ka ardhur koha që të triumfojmë në transfertë, edhe pse përballë kemi një skuadër të vështirë si Shkumbini. E kemi të qartë që ata janë një ekip i vështirë, e që kanë pretendime në këtë sezon prej investimeve në merkato, por ne synojmë fitoren”, përfundoi trajneri.

Top Channel