Lala, gati për një fanellë titullari

05/11/2010 12:00

Altin Lala është gati të rikthehet në formacionin titullar të Hanoverit, në sfidën e së dielës, që skuadra e drejtuar nga tekniku Mirko Slomka do të luajë në shtëpi përballë kryesuesve të Bundesligës I, Borusia e Dortmundit.

Mesfushori shqiptar është rikuperuar pothuajse plotësisht nga operacioni në gjurin e majtë dhe tashmë shpreson që të aktivizohet. Me të drejtë, kapiteni i Kombëtares shqiptare e pret me padurim këtë shans: ai nuk luan prej tetë muajsh nga minuta e parë në një ndeshje të elitës së futbollit gjerman: ishte 6 marsi i vitit 2010, ku u zëvendësua pas 64 minutave, në sfidën e fituar 2-1 në fushën e Frajburgut.

Për një lojtar si Lala, i cili në total numëron 280 ndeshje me fanellën e Hanoverit në Bundesligën I dhe II, ku gjatë këtyre 12 sezoneve të fundit nuk është kursyer në asnjë duel pavarësisht kundërshtarit që kishte përballë, dy vitet e fundit kanë qenë mjaft të vështira. Momentet e vështira për kavajasin nisën me operacionin për hernie diskale, më pas gjatë verës ai pësoi një dëmtim në tendinë, ndërsa në muajt e parë të vitit 2010 u operua në gjurin e majtë, për shkak të një dëmtimi në ligamente. Një betejë e vërtetë jo vetëm me problemet fizike, por edhe me kohën që nuk ishte në anën e tij. Gjithsesi, Lala nuk është dorëzuar e tashmë ia ka dalë sërish mbanë.

Mesfushori, që pas afro dy javësh do të festojë 35-vjetorin e lindjes, duket se është rikthyer në formën optimale. Ai stërvitet normalisht prej disa javësh, ndërkohë që ka testuar gjurin edhe në dy ndeshje me ekipin e dytë të Hanoverit, i cili militon në ligat rajonale.

“Ndihem mjaft mirë. Gjendja fizike është optimale: dy ndeshjet që kam zhvilluar me ekipin e dytë më kanë shërbyer për të kontrolluar gjendjen time”, deklaroi lojtari. Trajneri Slomka është shprehur se Lala “është në rrugë të mbarë” për rikuperimin dhe për t’u bashkuar me skuadrën. Në anën tjetër, kuqeziu shpreson të jetë titullar si mesfushor difensiv të dielën kundër Dortmundit, për të zëvendësuar të pezulluarin Shmiedebash, megjithatë, ai do të ishte i kënaqur edhe me një aktivizim të pjesshëm përballë kryesuesve të kampionatit gjerman.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA