Milan-Real, mediat spanjolle fajësojnë arbitrin

04/11/2010 15:30

Medjat spanjolle kanë fajësuar gjyqtarin anglez Ueb për barazimin 2-2 mes Milanit dhe Realit në “San Siro”.

Dy gazetat më të mëdha në vend, “As” dhe “Marca” kanë publikuar gabimet e arbitrit dhe më flagranti është padyshim goli i dytë i Inzaghi-t, ky i fundit në pozicion jashtë loje.

Sipas “As”, dy lojtarë të Milanit duhet të ishin ndëshkuar me karton të kuq që në momentin kur rezultati ishte 0-1 në favor të madrilenëve.

Gjithsesi shkrimet e mëtejshme të dy gazetave sportive janë një vazhdimësi e deklaratave të Mourinho-s për superskuadrën e tij.

Sipas tyre, portugezi është një ndër trajnerët më të mirë në botë dhe as barazimi i fundit nuk mund ta ndryshojë këtë ide.

Titulli kryesor i “El Mundos”, një gazetë politike, është “Hauard Ueb, një polic apo një hajdut”.

Për të përditshmen “El Pais”, as Reali më i mirë i kohërave të fundit nuk ka mundur të thyejë tabunë në Meazza.

Rivaliteti mes Realit dhe Barçës është edhe në medja.

Ndryshe nga të tjerat, gazetat katalanase janë marrë më shumë me trajnerin Mourinho.

“Sport” ka preferuar të shkruajë më shumë për gjestet e portugezit para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Një tjetër e përditshme katalanase, “El Mundo Deportivo” nuk i ka kushtuar shumë vëmendje prezantimit të mirë të skuadrës spanjolle në “San Siro”, por ka preferuar të flasë për Ronaldon dhe Mourinhon.

Sipas kësaj gazete, i pari një aktor i konsumuar, ka luajtur shkëlqyeshëm rolin gjatë një ndërhyrjeje të Abates, ndërsa trajneri ka treguar 3 gishta tifozëve Milanez, për t’i kujtuar atyre tre kupat e marra 1 vit më parë me skuadrën e Interit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA