Të paktën 355 delegatë të kuvendit zgjedhor të LDK-së do të vendosin kush do t’i prijë kësaj partie në të ardhmen. Kryesia e LDK-së vendosi mbajtjen e Kuvendit zgjedhor të dielën më 7 nëntor.

Katër ditë nga mbajtja e këtij Kuvendi, akoma nuk dihen kandidatët për kryetar të LDK-së. Vetë kryetari i saj, Fatmir Sejdiu tha se është në duar të delegatëve të kuvendit zgjedhor të vendosin se kë do ta kandidojnë dhe kujt do t’ia japin besimin për ta drejtuar partinë. Ai nuk sqaroi nëse do të jetë njëri prej  kandidatëve për ta drejtuar LDK-në.

“Që do të thotë se e djela do të jetë e rëndësishme për LDK-në, për të ardhmen e saj. Ajo do të jetë dita e përzgjedhjes së kryetarit, do të zgjidhet më i miri mes më të mirëve”, ka deklaruar Sejdiu.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda LDK-së se me apo pa marrëveshje me zotin Sejdiu, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa do të jetë njëri nga kandidatët.

Kjo për shkak, se sic tha një zyrtar i LDK-së, zoti Mustafa do të kandidohet nga vetë delegatët e kuvendit. Edhe për këtë cështje kryetari aktual Fatmir Sejdiu tha se mbetet të shihet të dielën kur do të mbahet kuvendi.

“Unë cmoj lartë edhe zotin Mustafa dhe cdo anëtar tjetër të strukturave të LDK-së që ka dhënë kontributin e tij. Por do jetë cështje e një verdikti në rrugë normale, që do të jetë kuvendi”, është shprehur Sejdiu.

Duke komentuar rrëzimin e qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit, kreu i LDK-së tha se në vend që të mbetej shteti pa institucione, rrugë më e mirë do të kishte qenë krijimi i qeverisë teknike ose emërimi i ministrave të rinj, në ministritë nga të cilat u largua LDK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA