Derbi i Europës përfundon 2-2

03/11/2010 22:50

Superndeshja e javës së katërt të fazës në grupe të Ligës së Kampioneve, ajo mes Milanit dhe Realit të Madridit u mbyll në barazim 2-2.

Miqtë edhe pse e mbyllen në avantazh pjesën e parë, pas golit në sekondat shtesë me Higuain, nuk mundën të thyejnë tabunë e fitores në San Siro, fitore kjo e mohuar nga Filipo Inzagi i cili në minutën e 60 zëvendësoi Ronaldinjon, një zëvendësim ky që ka rezultuar i suksesshëm për trajnerin Alegri, pasi SuperPipo vetëm 8 minuta më vonë do të barazonte shifrat në 1-1.

Italianët nuk mjaftohen me kaq, ata gjejnë golin e avantazhit sërish me Inzagin në minutën e 78. Sulmuesi italian, megjithëse në një pozicion të dyshimtë loje ka shfrytëzuar mjaft mirë një top të marrë nga kapiteni Gatuzo duke kaluar në avantazh kuqezinjtë.

Por kur po pritej fërshëllima finale e Hauard Ueb, madrilenët godasin me anë të Pedro Leon, që hesht San Siron dhe barazon rezultatin.  

Ndërkohë në takimin e tjetër të këtij grupi, Aukser mundi me rezultatin 2-1 Ajaksin e Amsterdamit.

Pas këtyre ndeshjeve grupi udhëhiqet nga Real me 10 pikë, i ndjekur nga Milan me 5, Ajaks 4 dhe Aukser 3.

Në grupin E Roma ka fituar 2-3 në transfertë ndaj zvicerianëve të Bazelit, ndërkohë që Bajern Mynih ka shkatërruar 0-4, po në transfertë rumunët e Cluj. Grupi udhëhiqet nga Bajern me 12 pikë i ndjekur nga Roma me 6 dhe Cluj e Bazel që mbesin në kuotën e 3 pikëve.

Fitorja 0-7 e Marsejës ndaj Zilinës ishte ajo që ra në sy në ndeshjet e katërta të grupit F, ku edhe Çelsi mundi 4-1 Spartakun e Moskës. Grupi udhëhiqet nga Çelsi që ka siguruar kualifikimin për më tej me 12 pikë i ndjekur nga Spartaku i Moskës dhe Marseja me 6 pikë dhe Zilina me 0 pikë.

Në grupin H ajo që ra në sy ishte fitorja e ukrainasve të Shaktarit ndaj Arsenalit me rezultatin 2-1, ndërsa Braga fitoi 0-1 në fushën e vështirë të Partizanit të Beogradit. Grupi udhëhiqet nga Arsenal dhe Shaktar me nga 9 pikë, të ndjekur nga Braga me 6 dhe Partizani i Beogradit me 0 pikë.

Liga e Kampionëve rikthehet më 23 dhe 24 nëntor, në ndeshjet e parafundit për këtë vit dhe për fazën në grupe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA