Totenhem gjunjëzon Interin

02/11/2010 22:45

Totenhemi ka shokuar mbajtësit e trofeut të Ligës së Kampionëve, Inter. Anglezët kanë mposhtur skuadrën italiane me rezultatin 3-1 në ndeshjen e katërt të vlefshme për grupin A të këtij kompeticioni.

Mbrojtja interiste, ndryshe nga ecuria në Serinë A, ku në nëntë javë ka pësuar vetëm 4 gola, ndëshkohet tre herë duke pësuar një gol në pjesën e parë dhe dy të tjerë në fraksionin e dytë të takimit. Fillimisht ishte Van Der Vart që kaloi londinezët në avantazh në minutën e 18 të takimit. Holandezi gjeti rrjetën pas një topi të marrë prej Luka Modriç.

Me nisjen e pjesës së dytë shumë prisnin reagimin e Interit, por skuadra e Benitez nuk ka mundur të përballojë dot trysninë e Totenhem, që gjen edhe golin e dytë në minutën e 61 me anë të Piter Krauç, një ish-lojtar Benitezit, i cili në një farë mënyre me golin e shënuar u hakmor ndaj tij për largimin nga Liverpul.

Pikërisht ky gol ka zgjuar nga gjumi Interin. Zikaltërit kontrollojnë topin dhe nisin të shohin më shumë drejt portës kundërshtare, lojë kjo që pasoi golin e Eto në minutën e 79 por që mbeti vetëm kaq, pasi i futuri në pjesën e dytë të takimit, Roman Pavliçenko shënon golin e tretë për londinezët në minutën e 89 duke vulosur 3-1 fitoren e vendasve.

Tjetër surprizë në këtë grup ka ardhur edhe nga Gjermania, ku Verder Bremen, e mbetur me 10 lojtarë në minutën e 74 pas largimit me karton të kuq të Frings, ka pësuar një humbje 0-2 ndaj kampionëve holandezë të Tuentes. Golat për miqtë u shënuan në minutën e 81 dhe të 84 nga Çadli dhe De Jong që ngjisin skuadrën e tyre në kuotën e 5 pikëve dy më pak se Totenhem dhe Inter që ndajnë vendin e parë me nga 7 pikë.

Në grupin B Benfika ka mposhtur 4-3 Lionin, që për herë të parë në këtë sezon provon shijen e humbjes në Ligën e Kampioneve, pas 3 fitoreve në 3 ndeshjet e para, ndërkohë që ndeshja tjetër, e këtij grupi, ajo mes Hapoel Tel Aviv dhe Shalke 04 u mbyll në barazim 0-0. Pavarësisht humbjes Lion kryeson grupin me 9 pikë, i ndjekur nga Shalke me 7, Benfika 6 dhe Hapoel 1 pikë.

Mancester United mposhti 3-0 në transfertë turqit e Bursasporit, po aq sa Valencia ndaj Rejnxhërs në Spanjë në dy ndeshjet e vlefshme për grupin C që kryesohet nga Mancester me 10 pikë, i ndjekur nga Valencia me 7, Rejnxhërs me 5 dhe Bursaspor 0.

Kopenhagen ka arritur t’i shkëpusë një pikë Barcelonës  në fushën e tij duke barazuar 1-1, ndërkohë që ndeshja e luajtur më herët në këtë grup, mes Rubin Kazan dhe Panathinaikos u mbyll 0-0. Grupi D udhëhiqet nga Barcelona me 8 pikë e ndjekur nga Kopenhagen me 7, Rubin Kazan 3 dhe Panathinaikos 2 pikë.

Liga e Kampionëve rikthehet të mërkurën me ndeshjet e katërta të vlefshme për grupet E, F, G dhe H, ku spikat përballja Milan-Real Madrid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA