Indonezi, hiri vullkanik anulon fluturimet

02/11/2010 13:25

Linjat ajrore në Indonezi kanë anuluar fluturimet për në aeroportet pranë malit të Merapit, për shkak të reve të hirit të lëshuara nga vullkani me të njëjtin emër.

Disa fluturime nga Singapori në Malajzi janë anuluar dhe qeveria ka paralajmëruar linjat e tjera që të mos ndërmarrin rrugë të tjera pikërisht për shkak të hirit.

Të paktën 38 persona kanë humbur jetën që kur Merapi filloi të aktivizohej javën e kaluar. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se vullkani mund të vazhdojë të qëndrojë i ndezur edhe për njëfarë kohe.

“Mund të zgjasë për disa javë, apo edhe muaj”, ka deklaruar studiuesi Subandrio për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.

Në fillim të ditës së sotme llava e kuqe dukej qartë në kraterin e vullkanit, që ndodhet rreth 20 milje larg qytetit të Jogiakartës.

Top Channel