“Mea culpa” e Kasanos: Dua të mbyll karrierën tek Sampi

02/11/2010 03:30

Antonio Kasano i ka kërkuar publikisht falje presidentit të Sampdorias, Rikardo Garrone pa zënkës që patën para disa ditësh dhe që çoi në pezullimin e futbollistit barez nga skuadra.

“Pata një debat të ndezur me presidentin dhe i kërkoj falje para të gjithë Italisë. Dua të them se asnjëherë nuk i kam thënë ‘ti plak m…”, kështu e ka nisur “mea culpan” para mediave italiane talenti barez i cili ka vijuar se dëshiron të mbyllë karrierën e tij tek Sampdoria.

“Unë dëshiroj të mbyll karrierën time tek Sampdoria, por më shumë se sa të kërkuarit falje s’di cfarë të bëj. Më vjen keq sepse kam vënë në vështirësi edhe miqtë e mi të cilët nuk kanë të bëjnë fare me këtë histori. Gjithësesi ata ishin fantastikë të dielën dhe morën një fitore të rëndësishme”, shtoi Kasano.

Barezi u shpreh gjithashtu i gatshëm që të paguajë 1 milion euro si dhe të reduktojë pagën e tij (aktualisht 2 milion e 700 mijë euro”, që Sampdoria të tërheqë kërkesën nga Kolegji i Arbitrazhit të LEGA që ka marrë në dorëzim dosjën për të marrë një vendim.

Ndërkohë pas deklaratës së Kasanos nuk ka ardhur asnjë reagim nga presidenti Garrone. I vetmi reagim publik ka qënë ai i presidentit të Palermos i cili është shprehur i gatshëm për ta marrë atë tek siçilianët.

Top Channel