Me anë të një deklarate për shtyp të bërë dje në emër të Këshillit Socialist të Rrethit të Gjirokastrës, përkrahësit e deputetit, Vangjel Tavo, brenda strukturave të socialistëve gjirokastritë, deklaruan se distancohen nga veprimi i fundit i tij për kalimin si deputet te grupi parlamentar i LSI-së.
“Largimi i z. Tavo te LSI nuk e zgjidh problematikën e PS në Gjirokastër, të krijuar këto vitet e fundit. Kjo problematikë do të jetë objekt i punës sonë dhe strukturave qendrore të PSSH-së për shëndoshjen e gjendjes së PS në Rrethin e Gjirokastrës”, thuhet në deklarimin e shkurtër të bërë në emër të ‘këshillit’ socialist të rrethit, një strukturë që në fakt është inekzistente.
Burime nga strukturat aktuale në funksionim në gjirin e PS-së, të organizuara në shkallë bashkie në Gjirokastër thanë se një strukturë e tillë, e emërtuar “Këshilli socialist i rrethit” nuk ekziston, pasi për shkak të ndërprerjes së procesit të zgjedhjeve, si rezultat i përplasjeve dhe polemikave të grupeve brenda kësaj dege, aktualisht socialistët në Gjirokastër vazhdojnë të jenë të organizuar në dy grupime, strukturat si bashki dhe strukturat e komunave të rrethit.
Kjo deklaratë e përkrahësve të deritanishëm të deputetit Tavo në gjirin e PS në Gjirokastrës për distancimin nga kalimi i tij me LSI-në dëshmon se edhe pas ikjes së Tavos, asgjë nuk ndryshon dhe në gjirin e kësaj dege mbetet e njëjta situatë e paqëndrueshme përplasjesh mes grupeve rivale.
Dega e PS të Gjirokastrës është e vetmja në gjirin e PSSH që ende nuk ka një kryetar dhe asamble socialiste të rrethit, pasi për shkak të luftës së brendshme midis grupit të përkrahësve të deputetit Vangjel Tavo dhe grupit të kryebashkiakut Flamur Bime, procesi i zgjedhjes së tyre prej disa muajsh është ndërprerë.
Top Channel