Një javë përpara publikimit të raport-progresit të Komisionit europian për Shqipërinë, fondacioni Soros në Tiranë ka arritur në përfundimin se gjatë periudhës 2009-2010 qeveria shqiptare ka zbatuar pjesën më të madhe të masave të parashikuara në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.
Një raport i tillë përgatitet prej katër vjetësh nga Fondacioni. Kësaj here analistët kanë monitoruar 172 masa nën kriterin politik të Kopenhagës dhe kriterin e standarteve europiane.
Nga këto 172 masa të monitoruara, 98 janë zbatuar plotësisht, 38 masa janë zbatuar pjerisht dhe vetëm 36 masa kanë mbetur të pazbatuara. Sipas raportit, përparimi në këto fusha nuk është i njëtrajtshëm: raporti ka treguar se ku ka konsensus apo vullnet politik, edhe përparimi është më i ndjeshëm. Kjo p.sh është vënë re në kapitullin për liberalizimin e vizave, ku zbatimi i masave për zbatimin e MSA-së, është i lartë.
Në fushat e tjera, që vuajnë nga politizimi dhe janë të ndjeshmë në luftën e brendshme për pushtet, si psh decentralizimi ose administrata publike, përparimi ka mbetur në vend. Po ashtu, ekspertët vlerësojnë se plani kombëtar i zbatimit të MSA-së ka nevojë të rishikohet në thelb. Por rishikimi i këtij dokumenti do ta shndërrohet atë në një udhëzues thelbësor për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Top Channel