Përgjigjja e Berishës, pritet riaktivizimi i protestave

01/11/2010 08:15

Përgjigjja e sotme e Kryeministrit Sali Berisha për ofertën e opozitës socialiste priret të formalizojë ato përgatitje që kjo e fundit ka kohë që i kryen. Protestat dhe një përshkallëzim i qëndrimeve në raport me Parlamentin janë skenarë në rrugën e zbatimit përtej kufirit kohor simbolik të 8 nëntorit.

Një “Jo” e Sali Berishës, me argumentimin e vënies në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese dhe me mosasgjësimin e fletëve të votimit si shprehje e vullnetit të mirë, pavarësisht rregullimit të pozitës së shumicës, në thelb nuk zgjidh asgjë.

Më shumë, ajo duket se kërkon të shtyjë opozitën në rrugën e ashpër politike, e cila në vështrim të apelit ndërkombëtar, ekspozohet ndaj kritikës për prishje të dialogut dhe cenim të stabilitetit institucional. Në të vërtetë, Partia Socialiste ka dhënë dy herë sinjale se nuk i preferon më protestat si rrugë politike, nisur edhe nga përvoja e pranverës së shkuar.

Pjesëmarrja e beftë e Edi Ramës në tryezën e reformës, jo vetëm legjitimoi nismën e Kryeministrit, por në finale nxit edhe më shumë dyshimin e ngulitur për qëndrime jo këmbëngulëse të opozitës, apo edhe pasiguri të saj në politikën e rrugës. Përpjekja për marrëveshje që qëndron në sfondin e akuzave nga më të rëndat e bën të vështirë parashikueshmërinë e opozitës duke dëmtuar edhe seriozitetin e saj.

Së dyti, letra e para dy ditëve e kreut të Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi për komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerim, Stefan Fule, dhe krerët e dy grupeve kryesore të Parlamentit Europian, Shchultz dhe Daul, përfaqëson një përpjekje të re për negocim ndërkombëtar. Dy veprime këto që në kontekst të ritualit të përditshëm politik opozitar dhe paralajmërimeve për protesta dhe zgjedhje të parakohshme i ngjajnë një digresioni të patakt.

Është pikërisht ky grafik qëndrimesh që e vendos PS-në në një pozicion pak paradoksal; përballë një qeverie të zbuluar në korrupsionin e vet, sërish Kryeministri ia arrin që të ruajë lirinë e veprimit, iniciativën e madje të konservojë në terma të pranueshëm një krizë që në zgjatjen e vet kthehet në interes të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA