Mazhoranca qeverisëse pritet të japë sot përgjigje për planin e zgjedhur nga opozita për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Ashtu siç është konfirmuar nga Kryeministri Berisha, sot paradite, në selinë e socialistëve, pritet të mbërrijë përgjigjja e mazhorancës në lidhje me atë që kryetari i PS-së, Edi Rama, e quajti “ofertë të fundit” për hetimin. Burimet bëjnë të ditur se përgjigjja e PD-së, që do të mbajë firmën e kryetarit të saj, Sali Berisha, nuk do të jetë e thatë.
Pritet që në këtë letër, si arsye kryesore të renditet pretendimi i mazhorancës, se oferta e socialistëve nuk është në përputhje me rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, ku ndër të tjera jepen edhe direktiva për sa i përket mënyrës se si mund të hetohen zgjedhjet parlamentare.
Në letër pritet të kundërshtohet hapur ajo pjesë e draftit të PS-së, që thekson se “objekti i veprimtarisë së këtij komisioni është i pakufizuar për sa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore”.
Kundërshtimi i kësaj pike lidhet fort edhe me qëndrimin e njohur të mazhorancës, sipas të cilit, objekti i një komisioni hetimor parlamentar nuk mund të jetë i pakufizuar. Ky qëndrim duket se përbën pikën kryesore të mospranimit të draftit nga demokratët. Në lidhje me këtë kërkesë të socialistëve, PD pritet të theksojë faktin se në komision nuk mund të shqyrtohen vendimet e gjykatave dhe në këtë kuadër nuk mund të hapen kutitë e votimit, për rregullsinë e të cilave ka vendosur Gjykata e Apelit.
Në këtë kuadër pritet që në letrën që do të mbërrijë sot në duart e socialistëve, Berisha të theksojë faktin se në lidhje me kërkesën e tyre për hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 2009-s, opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose Komisionit Këshillimor të Venecias. Nga ana tjetër, një nga pikat që demokratët duket se bien dakord në draftin e socialistëve është ajo ku theksohet se Partia Socialiste do të ketë të drejtën e shumicës së anëtarëve në komisionin që do të ngrihet për hetimin e zgjedhjeve. E drejta e shumicës së anëtarëve në këtë komision i është premtuar se do t’i jepet opozitës që në muajt e parë të kërkesës së tyre për hetimin e procesit të shkuar zgjedhor. Përfaqësuesit e PD-së janë shprehur parimisht dakord edhe për shumë pika të tjera të draftit të socialistëve, siç është hetimi i listave të zgjedhësve, ai për përdorimin e administratës për fushatë zgjedhore, çështja e lirimit të disa të burgosurve në prag fushate etj. Drafti i ri i socialistëve në lidhje me çështjen e hetimit të zgjedhjeve iu paraqit Kryeministrit Berisha nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në tryezën e parë të mbajtur për reformën zgjedhore. Duket se demokratët kanë preferuar ta mbajnë gjatë këtë draft në duar, për t’i dhënë përgjigje përfundimtare vetëm sot.
Top Channel