Viti 2010, rritet krimi

31/10/2010 15:00

Për nëntë muajt e këtij viti raportohen zyrtarisht të paktën 2800 vjedhje kundër pronës së shtetasve, por më të rrezikuara sipas statistikave rezultojnë të jenë banesat, automjetet dhe më pas kompanitë dhe firmat private.

Në statistikat që Top Channel disponon është vendosur shifra zero për vjedhjet e bankave pavarësisht se këtë vit nuk kanë munguar vjedhje të filialeve të bankave në Tiranë, Fier e Korçë.

Referuar pasqyrës krahasuese të kriminalitetit për periudhën janar-shtator të këtij viti, deklarohen si vjedhje 637 vjedhje banese, një shifër kjo më e madhe se një vit më parë, ndërkohë që shkalla e zbulueshmërisë është vetëm 39 përqind.

Në shënjestër të vjedhësve këtë vit kanë qenë edhe automjetet. Gjatë kësaj periudhe, statistikat e siguruara nga Top Channel tregojnë se janë vjedhur 420 makina dhe vetëm 13 përqind, ose 54 raste, jane zbuluar autorët apo janë gjetur automjetet e vjedhura. Sërish edhe për automjetet ka një rritje të vjedhjes së tyre prej 92 makina teëvjedhura.

728 kompani, firma private dhe lokale tregtie kanë rënë pre e hajdutëve për këtë vit, dhe po të bëjmë krahasimim nëse ka rënie apo rritje të vjedhjeve të tyre krahasuar me 2009, sërish rezultojne 93 vjedhje më shumë.

Në fushën e vjedhjeve bie në sy rritja e vjedhjeve me dhunë në 109 raste dhe në një prej tyre kjo vjedhje ka qenë me pasojë vdekjen e një personi.

Ndërkohe si krime kundër jetës janë regjistruar 255 të tilla, 82 prej tyre vrasje, 6 vrasje nga pakujdesia dhe 167 vrasje të mbetura në tentativë. Po kështu krahasuar me 2009 ka një dyfishim të veprave penale kundër lirisë së personit, ku për këta nëntë muaj raportohen 65 heqje lirie ose pengmarrje.

Në hetimin dhe parandalimin e krimeve ka një dyfishim të kundërshtimit të punonjësit të policisë në 220 raste, ngjarje këto të gjitha të zbuluara, si dhe një rritje të personave të kapur me armë pa leje, gjithsej 577 të prangosur për këtë vepër penale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA