Superliga, Tirana mund lehtësisht Teutën

31/10/2010 17:10

Në “Qemal Stafa“ Tirana ka dominuar totalisht lojën duke mundur pastër 2-0 Teutën. Edhe pse mes shumë polemikash për krizën e pagave dhe me një stadium të zbrazur, si rrallë herë për mbështetësit e 24 herë kampionëve të Shqipërisë, bardheblutë gjejnë golin e avantazhit që në minutën e parë.

Një pakujdesi në mbrojtje e Teutës është shfrytëzuar mjaft mirë nga nga Pero Pejiç. Goli i shpejtë i ka nxjerrë nga detyrat e tyre mbrojtëse lojtarët e Tiranës, ndërkohë që kundërsulmi i durrsakëve nuk ka pasur për asnjë moment rrezikshmërinë e duhur.

Në minutën e 13-të ka qenë sërish kroati Pejiç ai që dyfishon shifrat duke dorëzuar përfundimisht skuadrën e Martinit.

Mund të kishin shënuar edhe disa gola të tjerë lojtarët e Tiranës të cillët rrezikojnë ndjeshëm me Bushin, Hajdarin dhe Malindin, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në përfundim të takimit. Me këtë fitore Tirana ngjitet në kuotën e 12 pikëve në vendin e gjashtë.

Ndërkohë Shkumbini ka regjistruar një fitore në këtë javë të nëntë duke mundur 2-1 në transferë Elbasanin. Peqinasit e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e 12-të me Valiajn.

Brenda pjesës së parë gjyqtari Peza akordon një 11-metërsh për Elbasanin, penallti që shndërrohet në gol nga Dalipi. Kur gjithçka po shkonte drejt përfundimit në 1-1, Gërboviç i futur në pjesën e dytë i ka dhënë fitoren skuadrës së Canajt me golin e shënuar në minutën e 89-të.

Ditën e hënë do të luhet dhe ndeshja e fundit e kësaj jave të nëntë të Superligës mes Kastriotit dhe Dinamos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA