Irak, sulmohet kisha, merren peng besimtarët

31/10/2010 19:55

Persona të armatosur sulmuan një kishë katolike në Bagdad dhe morën peng të paktën 40 besimtarë, të mbledhur aty për meshën e së dielës pasdite.

Përpara kësaj, agresorët kishin mësyrë bursën e kryeqytetit irakian. Në të dy sulmet, mbetën të vrarë 6 persona. Sipas policisë, ka edhe disa të plagosur. Në mesin e pengjeve në duart e rrëmbyesve, janë edhe dy priftërinj.

Sulmuesit pretendojnë se janë anëtarë të organizatës “Shteti Islamik i Irakut”, një grup ndjekës i linjës së Al Kaedës.

Në këmbim të jetës së pengjeve, ata pretendojnë lirimin e anëtarëve të rrjetit terrorist që mbahen të burgosur në Irak dhe Egjipt.

Televizioni lokal Al – Bagdadija  pretendon se ka marrë një telefonatë prej sulmuesve që i parashtruan kërkesat e tyre. Gjuha e përdorur prej këtyre të fundit ishte arabishtja klasike, thanë drejtues të televizionit, çka bën të mendohet që agresorët nuk janë irakianë.

Në 2008-n, një ngjarje e ngjashme në Mosul, rrëmbimi i kryepeshkopit Paulos Raho, përfundoi keq. Dy javë pas sekuestrimit, kleriku u gjend i vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA