Plaku i urtë i politikës shqiptare e konsideron termin e përdorur nga qarqe të caktuara si “Shqipëria multietnike” për regjistrimin e popullsisë si një ide të gabuar.
“Unë i bazohem preambulës së Kushtetutës. Shqipëria multietnike është një term i gabuar”, tha politikani Godo. Si një nga bashkëhartuesit e Kushtetutës, politikani Godo është ndalur edhe më tej, duke thënë se “ne kemi shtetin e pavarur të Kosovës, kemi një marrëveshje të Ohrit për shqiptarët e Maqedonisë. Në qoftë se dikush aspiron integrimin e së ardhmes së kombit, duhet t’u përmbahet këtyre pikave”.
Sipas Godos, kur rajoni të jetë i integruar në Bashkimin Europian, do të bien kufijtë e shqiptarëve. “Çdo nxitje e kësaj përmase, në këtë drejtim do t’u shërbente atyre që hedhin tezën e Shqipërisë së madhe. Nga jashtë gjithmonë vjen një pyetje: A mos vallë po punojmë për Shqipërinë e madhe? Kjo nuk qëndron, sepse sot ne kemi një faktor politiko-gjeografik që u përshtatet shqiptarëve. Mendoj se politika jonë duhet t’i kushtojë rëndësi sigurimit të kufijve detarë dhe tokësorë, këtu duhet ta përqendrojë vëmendjen e saj”, thotë Godo.
“Regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet kur të përjashtohen dy elemente, besimi fetar dhe përkatësia etnike. Regjistri do të bëhet i lirë vetëm pasi shqiptarët do të mund të lëvizin lirshëm në Europë dhe nuk do të jenë të detyruar që për shkak të një pune, apo çështjeve të tjera të deformojnë besimin fetar apo përkatësinë etnike”, tha politikani Sabri Godo.
Regjistrimi i popullsisë mbi baza gjuhësore, e përkatësisë fetare dhe etnike përbën një rrezik serioz dhe kërcënim për territorin e vendit. Reagimi i fortë vjen nga një prej hartuesve të Kushtetutës, politikanit Sabri Godo, i cili në këtë mënyrë i përgjigjet mënyrës se si po kryhet ky regjistrim.
Politikani Sabri Godo e sheh këtë projekt si shumë të rrezikshëm, që do të çonte në rritje artificiale të shtetasve me kombësi greke në vendin tonë.
Top Channel