Kanceri i gjirit, është jo vetëm një nga sëmundjet që po prek gjithnjë e më shumë vajza dhe gra në Shqipëri, por edhe një ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve ndër to.
Mjekët saktësojnë se çdo vit numërohen rreth 400 raste të reja, nga të cilët vetëm një treta arrijnë të mbijetojnë.
Mosha e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit është ulur, ndaj përfaqësues të politikës, të trupit diplomatik dhe të shoqërisë civile kanë kërkuar më shumë vëmendje ndaj kësaj sëmundjeje.
“Mundësia e kontrollit tek mjeku, pra mundësia e kryerjes së një mamografia duhet të jetë në të gjitha qendrat rajonale të vendit, pse jo dhe falas për të gjitha gratë që dëshirojnë ta bëjnë atë”, tha gjatë fjalës së saj Zonja e Parë, Teuta Topi.
Ndërkohë në fjalën e saj zv.ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Deborah Jones, pasi falenderoi organizatorët, bëri thirrje për dalje nga ndrojtja dhe frika dhe për diagnostikim të shpejtë të sëmundjes.
“Do të doja të falenderoja organizatorët, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Bashkinë. Kam një falenderim për dy gra të veçanta, zonjën Vjollca Hoxha dhe Olimpi Ibrahimi, që kontribuan dhe dhanë mbështetjen e tyre për këtë aktivitet. 28 vjet më parë gratë në Shtetet e Bashkuara kishin frikë dhe ndrojtje të flisnin për kancerin e gjirin dhe nuk dinin se si të mbronin veten e tyre. Diagnostikimi bëhej më vonesë dhe trajtimi i tyre bëhej më pas i pasuksesshëm. Por kjo ndryshoi në vitin 1982”, u shpreh zv.ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Deborah Jones.
Edlira Peposhi është një ndër gratë që është prekur nga kanceri i gjirit.Ajo i është nënshtruar operacionit dhe kimioterapisë ndaj dhe sot i bën apel shteti dhe familjarëve të grave të prekura të tregojnë kujdes.
Mjekja Rubena Moisiu ka kërkuar që çdo grua të bëjë vetkontrroll, dhe ka propozuar që spitalet ta kryejnë falas mamografine për të gjitha gratë mbi 40 vjeç.
Motos “të ecim së bashku kundër kancerit të gjirit” i janë bashkuar dhjetra qytetarë në Tirane. Ky aktivitet është organizuar nga shoqata kristiane e grave shqiptare dhe është mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe Top Media.
Në botë numërohen 1.5 milion gra që preken çdo vit nga kanceri i gjirit.
Top Channel