Vangjel Tavo bashkohet me LSI-në

30/10/2010 17:25

Teksa PS ka rifilluar një valë të re akuzash ndaj ish aleatëve të saj, Lëvizjes Socialiste për Integrim, nga selia e LSI-së përgjigja ka ardhur përmes zyrtarizimit të afrimit të deputetit Vangjel Tavo. (UPDATE)

Në mandatin e tij të tretë me PS, ai prej kohësh pati paralajmëruar largimin nga selia rozë nëse kreu i saj Edi Rama nuk do të reagonte për të zgjidhur konfliktet e forta të lindura mes socialistëve të Gjirokastrës.

Ndërhyrjet për të qetësuar deputetin Tavo duket se kanë dështuar dhe ky i fundit ka zgjedhur strehën e LSI për të vijuar karrierën e tij politike. Një zgjidhje të cilën ai e quajti krejtësisht normale përsa kohë ajo mbetet brenda së majtës.

“Iu bashkova LSI-së pasi nuk mora përgjigje nga PS, por mbetem sërish socialist”, është shprehur Tavo.

Vetë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta rikonfirmoi qendrimin e forcës që ai drejton në mbështetje të reformave kyç për të ardhmen e vendit e mbi të gjitha të proçeseve eurointegruese të tij.

Zoti Meta përshëndeti vendimin e deputetit, por duke mospërmendur apo komentuar në asnjë moment akuzat e tij ndaj selisë rozë dhe kreut të saj Edi Rama.

“Tavo është i mirëpritur dhe do të gjejë hapësira për të vijuar kontributin politik”, theksoi Meta.

Pas largimit pak kohë më parë të Dritan Priftit, ky afrim e çon sërish në katër numrin e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA