Ruci letër Fules, Schluz e Daul

30/10/2010 15:00

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci kërkon vëmendjen e kryetarëve të dy grupeve kryesore parlamentare të Parlamentit Europian, Zhozef Dol dhe Martin Shulc, si edhe të Komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle në lidhje me situatën në Shqipëri.

Letra nuk është as më shumë dhe as më pak por pozicionet tashmë të njohura në Shqipëri të Partisë Socialiste.

Por e kujdesshme për të kuruar imazhin e saj edhe pranë partnerëve ndërkombëtarë, Partia Socialiste u dërgon atyre këtë letër, ku zoti Ruci shpreh bindjen se zgjedhjet nuk u deformuan nga Kodi Zgjedhor, por nga shkelja e tij.

Zoti Ruci thotë në letër se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për garancinë që vota e tyre nuk do të deformohet dhe se rezultati i zgjedhjeve do të jetë nga fillimi deri në fund shprehje e zbatimit të Kodit Zgjedhor. Opozita, vijon më tej në letër zoti Ruci, nuk dëshëron të jetë dekor i një demokracie që nuk funksionon. Sipas socialistëve, Shqipëria është në një krizë të thellë politike dhe institucionale, burimi i së cilës është pikërisht deformimi i procesit zgjedhor të 28 qershorit.

Më pas në letër renditen disa cënime të rënda që sipas socialistëve i janë bërë jetës parlamentare: eleminimi në mënyrë të dhunshme i votimit të fshehtë edhe kur bëhet fjalë për persona të vecantë, manipulimi i procesit të votimit në sallën e Kuvendit, mungesa e transparencës minimale të procesit legjislativ në tërësi, moslejimi i mbikqyrjes financiare dhe ndryshimit në mënyrë të njëanshme të rregullave të funksionimit të parlamentit tri herë brenda këtij sesioni parlamentar, apo zbatimi de facto në praktikë i ligjit të lustracionit për emrat e dekretuar nga Presidenti i republikës. Vijojnë në letër akuzat për korrupsion, kulturën e pandëshkueshmërisë dhe krimin e organizuar.

Vetëm pak ditë më parë është vrarë në pragun e shtëpisë një kryekomunar i opozitës, thuhet në letër, ndërkohë që për vrasjen e një deputeti të opozitës në prag të fushatës së shkuar nuk ka ende asnjë rezultat hetimor. Ne dëshirojmë të shikojmë hapa nga ana e qeverisë drejt pikës së daljes nga kriza e rëndë përmes një kompromisi që mundëson përshpejtimin e proceseve demokratizuese dhe europianizuese të Shqipërisë.

Kjo pikë kompromisi, sipas socialistëve, mishërohet në rezolutën e Parlamentit Europian, ku kërkohet ngritja e komisionit hetimor parlamentar, me një mandat për të hetuar materialet zgjedhore. Zoti Ruci informon eurodeputët Zhozef Dol dhe Martin Shulc, si edhe komisionerin Fyle, se në bazë të kësaj rezolute, 35 deputetë socialistë kanë firmosur kërkesën për ta ngritur komisionin parlamentar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA