Qeveria tërhiqet nga varianti “etnik”

30/10/2010 08:15

Qeveria shqiptare ka ndryshuar formularin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, duke u tërhequr nga varianti që ishte më liberal ndaj mundësisë së abuzimit me përkatësinë etnike.

Pas reagimeve të ndërkombëtarëve, institucionet shqiptare kanë nxjerrë në qarkullim një tjetër formular, i ndryshëm nga ai i pari.

Sipas formularit, qytetarët e Republikës së Shqipërisë nuk do të jenë të detyruar të deklarojnë grupin etnik që i përkasin në formularin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave që do të aplikohet në Shqipëri në muajin prill 2011.

Pyetja “Cili është grupi etnik që ju i përkisni”, është cilësuar në formularin e regjistrimit si deklarim i lirë dhe jo i detyrueshëm.

Po kështu, qeveria shqiptare në plotësimin e këtij formulari ka shmangur një përgjigje të detajuar në lidhje me besimin fetar, duke mos rrezikuar në këtë mënyrë një polemikë mbi statistikat për të dhënat aktuale të besimit fetar në Shqipëri.

Pyetja në formularin e ri për këtë pikë është “A besoni në Zot”. Deklarimi i përgjigjes është i lirë dhe jo i detyrueshëm dhe ka tri opsione “po”, “jo” dhe “preferoj të mos përgjigjem”.

Ndërsa në formularin e vjetër për besimin fetar ishte pyetja që tashmë nuk ekziston në formularin e ri:

“Cili është besimi juaj fetar”. Kjo pyetje në formularin e vjetër mbartte shtatë opsione si mundësi përgjigjeje” “mysliman-sunit”, “bektashi”, “krishterë-ortodoks”, “krishterë-katolik”, “asnjë besim fetar”, “preferoj të mos përgjigjem” dhe “të tjera”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA