Biznesi:Mungojnë kreditë

30/10/2010 16:25

Ngërci i kredive si pasojë e politikës së shtrënguar të bankave është bërë një pengesë e fortë për biznesin në Shqipëri.

Raporti i fundit, mbi konkurrueshmërinë globale, një nga indekset më të plota që tenton të japë gjendjen e ekonomive botërore, e rendit aksesin në financime si faktorin më problematik të të bërit biznes për vitin 2010.

Sipas raportit të lëshuar muajin e kaluar në forumin e Davosit 14 për qind e bizneseve të mëdha shqiptare kanë si problemin kryesor të tyre mungesën e financimeve. Kjo shifër është 48 për qind më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Intervistat për raportin janë bërë gjatë periudhës mars-prill të këtij viti, por që nga ajo kohë ritmet e kredisë jo vetëm që nuk janë rritur, por po ngadalësojnë. Të dhënat e fundit të sapopublikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se edhe në shtator rritja e kredisë ishte minimale.  

Vec kredisë raporti rendit si një tjetër pengesë të të bërit biznes në Shqipëri, një tjetër tregues mjaft të debatuar. Atë të korrupsionit. Madje sipas raportit, krahasuar me vitin e kaluar pjesa e bizneseve që ankohen nga korrupsioni është rritur.

Në tërësi, raporti i cili analizon një numër shumë të gjerë treguesish e rendit ekonominë shqiptare ne vendin e 88 në botë për nga konkurrueshmëria në një listë me 139 shtete. Krahasuar me vitin e kaluar pozicioni i Shqipërisë është përmirësuar me vende, por sërish në disa tregues të rëndësishëm si e drejta e pronës, eficenca e qeverisjes dhe politikat antimonopol, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA