Piloti i Red Bull, Sebastian Vettel, deklaron: “Ende kam mundësi për të fituar titullin.”
Gjermani thotë se në Brazil nuk do të ndryshojë asgjë, edhe pse shoku i ekipit, Mark Webber ka më shumë mundësi për të fituar kampionatin se sa ai vetë.
“Do të luftoj për pole position të shtunën dhe për fitoren të dielën. Asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse motorri do të rezistonte, në Kore do të kisha marrë 25 pikë”, shprehet Vettel, i cili renditet i katërti në klasifikimin për pilotë, 25 pikë pas Alonsos me Ferrari.
Christian Horner, drejtori i skuderisë austriake, po fillonte të mendonte për aplikimin e urdhrave të skuderisë (edhe pse nuk lejohen në teori) në këto dy garat e fundit, në mënyrë që të favorizohej Webber (11 pikë larg Alonsos i cili renditet i pari) dhe të kishte më shumë mundësi për fitoren finale.
Por, Vettel nuk duket se është dakort me këtë gjë dhe në këtë mënyrë mund të jetë aleati më i mirë i Fernando Alonsos në këto dy garat e fundit.
Jo më kot, Alonso deklaroi pas fitores në Kore: “Tani jam tifoz i Vettel, shpresoj që këto dy gara t’i fitojë ai.”
Top Channel