Nis sezoni i NBA

26/10/2010 15:55

Kampionati më i bukur i basketbollit në botë, NBA, nis sot me ndeshje spektakolare.

Miami i bën vizitë Boston Celtics, ndërsa kampionët në fuqi të Lakers do marrin unazën e kampionit nga komisioneri i NBA, David Stern, para se të ndeshen me Houston Rockets.

Los Angeles Lakers janë favoritët edhe në këtë sezon për të fituar titullin e tretë radhazi në NBA. Në letër janë më të fortë edhe se sezonin e kaluar sepse kanë përforcuar stolin me blerjet e Steve Blake, Theo Ratliff dhe mbi të gjitha të një mbrojtësi si Matt Barnes.

Problemet e kampionëve në fuqi janë gjendja jo e mirë fizike e yllit të ekipit Kobe Bryant dhe dëmtimet e shpeshta të qendrës Andrew Bynum.

Miami është ekipi që është përforcuar më shumë, duke i bashkuar Dwayne Wade dy yje të kalibrit të LeBron James dhe Chris Bosh. “Big Three” (siç quhen në Miami) do të kenë rreth tyre një ekip me shumë pak pika të dobëta. Lojtarë si Ilgauskas, House, Haslem dhe blerja e fundit Jerry Stockhouse janë më se të besueshëm.

Ndërsa Boston Celtics, finalistët e vitit të kaluar, vazhdojnë ende të jenë një ekip i frikshëm. Lojtarëve si Rondo, Garnett, Allen e Pierce i është shtuar Shaquille O’ Neal dhe janë kandidatë për fitoren finale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA