Zëdhënësi i KE, Michele Cercone deklaroi se kërkesa e Greqisë për ndihmë emergjente kufitare po shqyrtohet nga agjencia europiane FRONTEX, e cila brenda 5 ditësh pritet të marrë vendim për nisjen e ekipeve të specializuara “RABIT”.

Javët e fundit, Athina ka raportuar për qindra emigrantë të paligjshëm që kalojnë kufirin turko-grek, ku 12.5 km në këtë kufi rezultojnë se nuk janë mbikqyrur prej autoriteteve greke.

“Kjo është e paprecedent dhe për këtë duhet të përgjigjet Athina”, ka deklaruar Cercone.

Cercone sqaroi se gjatë këtij viti janë dërguar 3 misione në Greqi për të asistuar autoritetet vendase për menaxhimin e kufijve në det, tokë dhe kthimin e emigrantëve të paligjshëm.

Ai tha se ky vend anëtar siguron më shumë ndihma financiare nga buxheti i përbashkët për menaxhimin e kufirit të jashtëm të BE-së.

Për përiudhën 2007-2013, grekët vlerësohet të jenë përfitues për 298 milionë euro. Por, këto para nuk shpenzohen sic duhet, sipas Komisionit, pasi mungojnë kapacitetet absorbuese në vend.

“Nga ana tjetër, Komisioni ka negociuar marrëveshje riatdhesimi me Turqinë, cfarë do të detyronte këtë vend për kontrollin kufitar dhe për të luftuar emigracionin e paligjshëm, por kjo marrëveshje nuk është miratuar ende nga ministrat e Brendshëm”, ka theksuar Cercone.

Ndërkohë, për të dytën herë vetëm gjatë këtij viti, Komisioni ka përsëritur procedurën kundër Greqisë për shkelje të legjislacionit europian. Shkak është bërë greva e urisë së azilkërkuesve nga Irani dhe Athina ndodhet nën proces monitorimi nga Brukseli për të aplikuar sic duhet kriteret e një udhërrëfyesi të posacëm të Komisionit mbi azilin.

“Për Komisionin, Greqia nuk u jep mundësi azilantëve që të ndjekin hapat normale, sic parashikon legjislacioni europian për azilin dhe procedura ndërkombëtare”, ka pohuar zëdhënësi i KE.

Në këtë drejtim, Athina detyrohet të sigurojë fonde të mjaftueshme financiare për pranimin dhe të rrisë kapacitetet administrative për të respektuar të drejtat themelore dhe ato ndërkombëtare për azilantët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA