Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në fund të javës që po vjen. Kjo bëhet e ditur nga një burim zyrtar brenda institucioneve të Kosovës.

Ky burim në kushte anonimiteti tha se të martën është caktuar mbajtja e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku pritet të dorëzohet mocioni i votëbesimit ndaj qeverisë i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re.

Kjo e fundit ka vetëm edhe nje ditë kohë për t’i mbledhur edhe 10 nënshkrime të deputeteve për të plotësuar numrin e nevojshëm prej 40 firmash për të ngritur mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Një anëtar i AKR-së i tha në kushte anonimiteti Top Channel, se gjasat për t’i siguruar nënshkrimet e mjaftueshme janë të mëdha. Me t’i siguruar nënshkrimet, AKR do të dorëzojë mocionin në Kryesinë e Kuvendit e cila pastaj e fut atë në mesin e pikave të rendit të ditës që do të shqyrtohen ne seancën e 28 tetorit.

Seanca parlamentare e së enjtes pritet të zhvillojë punimet e saj në mënyrë të shpejtuar. para se te ngrihet mocioni do të votohet buxheti i shtetit për vitin 2011 dhe disa ligje të rëndësishme.

Nga ana tjetër një zyrtar i LDK-së tha po kështu në kushte anonimiteti se kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu është i gatshëm për konsensus në këtë drejtim. Ndërsa përfaqësuesit e partive tjera u shprehen të painformuara lidhur me mundësinë e rrëzimit të qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit këtë javë.

Dy javë më parë Presidenti në detyrë i Kosovës Jakup Krasniqi caktoi 13 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Por gjithcka ndryshoi me tërheqjen e LDK-së nga koalicioni qeverisës me PDK-në, çka çoi vendin drejt një krize të thellë institucionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA