Vangjeli shkëlqen në Europë

23/10/2010 12:25

Kristi Vangjeli duket se ndihet në ambientin e tij natyral në Kupat e Europës. Pas paraqitjes mbresëlënëse kundër Diego Forlanit në ndeshjen e fituar 1-0 me Atletikon e Madridit (më 16 shtator), mbrojtësi shqiptar ka shkëlqyer edhe në sfidën që Arisi i Selanikut ka luajtur të enjten përballë Bajern Leverkusenit.

Paraqitja e tij ndaj gjermanëve në Grupin B të Europa League, është vlerësuar si një “recital”. Gjatë sfidës në stadiumin “Kleanthis Vikelidis”, Vangjeli i “detyroi” komentatorët dhe gazetarët që gjatë lojës ta cilësonin 10 herë si lojtarin më të mirë, ndërsa në fund ai u përzgjodh edhe si “MVP” (Lojtari më i vlefshëm) i të gjithë 90-minutëshit.

“Trajneri vendosi edhe një herë që në ndeshjet europiane ta aktivizonte Vangjelin në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe vazhdon të mos pendohet për këtë zgjedhje teknike. Në çdo moment, mbrojtësi shqiptar arriti që të neutralizonte të gjitha tentativat sulmuese të kundërshtarëve në krahun e tij”, ishte vlerësimi i mediave greke.

Arisi, i drejtuar nga Hektor Raul Kuper, mori një barazim shumë të vlefshëm 0-0 përballë Leverkusenit, ekipit më në formë në Bundesligën gjermane, ndërsa tashmë mban vendin e dytë në grup me 4 pikë në dy ndeshje. Ndeshja u zhvillua me ritëm të lartë dhe sulme nga të dyja skuadrat, por ajo që ra më tepër në sy ishte se i gjithë stadiumi thërriste në kor emrin e Vangjelit dhe të atdheut të tij. “Einai trelos o albanos” (shqiptari është i çmendur), duke u shprehur të mahnitur për lojën e 25-vjeçarit, ndërsa të gjithë të pranishmit i kanë dhuruar kuqeziut brohoritje dhe duartrokitje në fund të ndeshjes. “Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen që treguan ndaj meje.

Duartrokitjet e tyre më japin edhe më tepër forcë për të vazhduar në këtë rrugë”, deklaroi Vangjeli. “Gjatë gjithë këtyre viteve që aktivizohem me Arisin, mbështetja e fansave nuk më ka munguar. Për mua është një ëndërr që luaj në ekipin që dua, dëshiroj të qëndroj sa më gjatë këtu dhe të jap gjithçka për këtë skuadër”.

Me impenjimin dhe paraqitjet e tij të mira, Vangjeli ka rifituar besimin e trajnerit Kuper dhe stafit teknik, që në fillim të sezonit menduan ta largonin nga Arisi i Selanikut. “Unë bëj vetëm detyrën time: punoj dhe jap maksimumin kur trajneri vendos të më aktivizojë. Ajo që ka më tepër rëndësi është se tashmë kam gjetur ritmin, por gjithashtu kam fituar edhe besim në vetvete pas çdo ndeshjeje. Pikësëpari shpresoj që të mos pësoj asnjë dëmtim, në mënyrë që të jap më të mirën për skuadrën, ashtu si kam bërë gjatë 10 viteve që luaj me Arisin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA