Ferri i minatorëve, grindje dhe frikë

21/10/2010 09:30

Ndërsa media vazhdon të përkëdhelë minatorët kilianë, nisin të dalin në dritë detajet e para mbi atë se cfarë ka ndodhur realisht në 600 metra thellësi.

“Los 33” patën lidhur një pakt për të heshtur, duke u betuar se nuk do të flasin kurrë për atë që ka ndodhur ditët e para të ‘burgosjes nën tokë’, kur ende nuk e dinin se do të shpëtonin.

Por para presionit të vazhdueshëm të medias për të mësuar më shumë, dikush prej tyre ka folur.

“Kam qenë më Zotin dhe djallin. U grindën për të patur mua, por Zoti fitoi, unë i dhashë dorën atij. Nuk e humba kurrë shpresën se do të dilja në sipërfaqe”. Këto kanë qënë fjalët e minatorët të dytë që doli nga miniera e San José. Fjalë të bukura, por që dëshmojnë edhe frikën, terrorin dhe sfidën ndaj vdekjes që i shoqëroi minatorët.

Por realisht cfarë ndodhi në galeri? Dikush ka nisur të tregojë…

Tre grupe rivale– E përditshmja spanjolle “El Pais” ka shkruar se pesë prej 33 minatorëve punonin për një kompani të ndryshme nga ajo e të tjerëve dhe për këtë motiv kishin bërë një grup të vecantë, duke planifikuar një rrugë shpëtimi.Këto ide janë hedhur ditët e para kur askush nuk e dinte se në sipërfaqe kishin nisur projektet për të gjetur rrugën e daljes.

Në një prej videove të para të transmetuara prej minierës, pikërisht këta pesë minatorë nuk shfaqeshin. Osman Araya,një prej minatorëve, i kishte thënë të vëllait se kishte patur përplasje të ashpra mes minatorëve, për shkak të hapësirës që zinte gjithësecili. “Ishin ndarë në tre grupe sepse grindeshin”, thotë një prej minatorëvë. Por se cili ka qenë motivi i grindjes, minatori nuk sqaron më tej, duke qenë se ka dhënë fjalën që nuk do të tregojë.

Super Mario– Eshtë pikërisht Mario Sepulveda, i mbiquajtur Super Mario,ai që ka vendosur të tregojë i pari se cfarë ka ndodhur në ato ditë ferri. Mario ka thyer kështu ‘paktin e heshtjes’.Ai kërkon që të merret vesh e vërteta, cfarë ka ndodhur realisht nën tokë, duke rrëzuar atë cka media të ndryshme thotë duke spekuluar.

“17 ditët e para ishin ferri vetë. Në 15 ditë nuk dinim asgjë, por pastaj dëgjuam zhurma punimesh. Më pas sërish heshtje dhe ramë në dëshpërim të thellë. Më pas kuptuam që po punonin sërish për të na nxjerrë në sipërfaqe.

Pakti i heshtjes– Në ditët e para, gjërat ishin shumë të vështira dhe minatorët më të rinj ishin shumë nervozë. Kështu vendosën që të bënin paktin për të mos folur se cfarë ka ndodhur realisht.

“E vërteta është se disa prej nesh në ditët e para janë sjellë si fëmijë që i kishte kapur paniku. Ajri ishte kaq i keq, na digjnin sytë. Ishte shumë nxehtë dhe ishim të bindur se do të vdisnim. Kishim nisur t’u shkruanim letra lamtumire familjarëve tanë”, thotë Mario.

Minatorë apo superstar-ë?
– Gjatë qëndrimit të tyre nën tokë, një pasanik kilian, përgatiti nga një cek për secilin me vlerë 6.500 dollarë. Donacione mbërritëm për familjet e minatorëve nga e gjithë bota. Flitet që secilit prej tyre do t’i jepet një milion dollarë…kjo nuk thuhet me siguri, megjithatë është mëse e qartë se jeta e tyre ka ndryshuar njëherë e mirë.

Top Channel