Tre javë para publikimit të opinionit të Komisionit Europian mbi statusin kandidat të Shqipërisë, në Bruksel kanë nisur të qarkullojnë zëra mbi skenarët e mundshëm sesi do të jetë ky mendim.
Por asnjëri prej tyre, deri tani, nuk e parashikon dhënien e statusit kandidat.
Asgjë nuk është ende zyrtare dhe megjithë përfundimin e pjesës teknike të progres-raportit vjetor mbi Shqipërinë, formulimi politik, nëse vendi është i gatshëm apo jo për të qenë kandidat, publikohet vetëm me 9 nëntor.
Gjithsesi burime diplomatike në Bruksel rrefyen për TCH se në kohën kur rekomandimi për Malin e Zi pritet të jetë pozitiv, për Shqipërinë nuk ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë.
Skenari i parë që përflitet barazon dy vendet aplikuese si jo të gatshme për çeljen e negociatave për anëtarësim, duke e kushtëzuar këtë hap me përmbushjen e disa kritereve. Por, dallimi vjen kur në rastin e Malit të Zi, sipas këtyre burimeve, pritet që Komisioni të përfshijë një paragraf shtesë duke propozuar dhënien e statusit kandidat, paragraf ky që pritet të mungojë në opinionin për Shqipërinë.
Skenari i dytë, nga të tjera burime diplomatike në Bruksel, është njësoj me të parin vetëm përsa i takon Malit të Zi. Ndërsa për Shqipërinë, parashikon një rekomandim të kushtëzuar si për statusin ashtu dhe për çeljen e negociatave për anëtarësim, deri në momentin kur vendi do të ketë përmbushur kriteret që do të përcaktohen nga Komisioni Europian.
Dhënia e statusit kandidat dhe çelja e negociatave për anëtarësim, për herë të parë u diferencuan nga BE në rastin e Maqedonisë, shembull që pritet të ndiqet edhe me Malin e Zi, një lloj “shpërblimi†ky politik edhe pse teknikisht vendi nuk është i gatshëm për të nisur bisedimet për hyrjen në BE. Ndërsa në rastin e Shqipërisë, burimet rrëfejnë se formulimi kërkon të evitojë një opinion negativ për Shqipërinë, pa i dhënë statusin kandidat vendit.
Mali i Zi u shpall shtet i pavarur në qershor të vitit 2006, kur Shqipëria firmoste MSA-në me Bashkimin Europian. Në dhjetor të vitit 2008, kryeministri malazez Gjukanoviç paraqiti në Paris kërkesën për statusin kandidat të vendit në BE. Të njëjtin hap e hodhi dhe kryeministri shqiptar Berisha në Pragë, 4 muaj më vonë.
Top Channel