
Pas votës në seancë plenare nga Parlamenti Europian për heqjen e vizave afatshkurtra, Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka falenderuar raportuesen e vizave, Tanja Fajon gjatë takimit që zhvilloi me të, pa praninë e kamerave, në ambientet e barit të eurodeputetëve.
Sipas zyrës së Fajon, gjatë takimit, eurodeputetja sllovene ka theksuar se Shqipëria duhet të vijojë reformat, të zgjidhë situatën politike dhe të dëshmojë se është vend me stabilitet politik.
Ministri Haxhinasto u takua dhe me përfaqësues të tjerë të së majtës europiane si Gianni Pittella, Libor Roucek, të dy gëzojnë mandatin si zv/presidentë të PE, për të vijuar më pas me Hannes Svoboda e Martin Shultz, dy krerët e grupimit socialdemokrat europarlamentar dhe drejtuesin e Komitetit të Jashtëm, eurodeputetin e djathtë Gabriele Albertini.
“Unë jam socialist e mund të kem në Shqipëri marrëdhënie të tjera miqësie e afërsie, por garantova ministrin se mbështes në çdo rast kauzën e drejtë, atë të liberalizimit të vizave si dhe të integrimit europian. Për këto dy pika nuk ka diferenca për ngjyrimet politike dhe ecim bashkarisht si në Shqipëri dhe në Europë, me qëllim që shqiptarët, të rinjtë të udhëtojnë lirshëm dhe vendi t’i afrohet ngadalë BE-së. Unë kam thënë gjithmonë se çështja e brendshme në Shqipëri, marrëdhënia mes mazhorancës dhe opozitës nuk kushtëzon çështjen e vizave. Kam shpjeguar gjithmonë se duhet të ketë një ndërmarrje, me transparencë maksimale për atë çfarë ka ndodhur, dhe garanci maksimale për të ardhmen”, deklaroi zv/presidenti i PE-së, Gianni Pittella.
“Paraqitem qendrimet përkatëse përsa i takon domosdoshmërisë që Shqipëria të ketë një proces politik dhe dialog politik normal, brenda institucionev dhe të fillojë menjëherë reforma zgjedhore e cila do të realizojë standarte më të larta të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri”, tha Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Të kontaktuar pas takimit, krerët e grupimit të majtë në Parlamentin Europian u shprehën se mesazhi kryesor që iu përcoll palës shqiptare ishte gjetja e një kompromisi për zgjidhjen e situatës politike, pasi nevojitet funksionimi normal i Kuvendit e pozita dhe opozita nuk mund të vijojnë më me akuza ndaj njëri-tjetrit.
Në prag të zgjedhjeve lokale në vend, socialdemokratët europianë planifikojnë të vëzhgojnë gjithë procesin zgjedhor, sipas Sëobodës, nga Kodi Zgjedhor deri në monitorimin e ditës elektorale e shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Top Channel