Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe kryeinspektori i Deklarimit të Pasurive Adriatik Llalla kanë nënshkruar një marrëveshje për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e pasurive të gjyqtarëve.
Kryeinspektori Llalla deklaroi se, në institucionin e tij ka ankesa për fshehje të pasurisë edhe për nivelin më të lartë të drejtësisë, qoftë për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, qoftë në Gjykatën Kushtetuese, të cilët janë vënë nën hetim.
“Në këtë periudhë kemi një proces kontrolli që ka përfshirë nivelin më të lartë të gjyqtarëve, nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë. Ata kanë kaluar në këtë proces për shkak të informacionit që ka ardhur tek ne”, ka deklaruar Llalla.
Ndërsa Spahiu pranoi se, gjyqtarët janë njerëzit që dinë më mirë se kushdo tjetër të plotësojnë deklarimin e pasurisë, por beson në menyrën e kërkimit të pasurive të tyre të mundshme të padeklaruara në mënyra sekrete, mes të cilave ai publikoi vetëm një.
“Kemi hartuar një plan inspektimesh konfidenciale. Kemi hedhur hapat e parë për të pasur në dispozicion hyrje-daljet e gjyqtarëve. Ne mund të kontrollojmë shpenzimet e tyre nga njëra anë, ndërkohë që nga ana tjetër largimi pa leje përbën një shkelje proceduriale”, ka deklaruar Spahiu.
Si KLD-ja, ashtu edhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive bënë thirrje që qytetarët të denoncojnë të dhënat e dyshimta ndaj gjyqtarëve në numrin 08009999.
Top Channel