Policia e Durrësit dhe forcat speciale nga Tirana kanë shkuar në ndihmë të Zyrës së Përmbarimit në Durrës për të ekzekutuar një vendim gjykate.
Bëhet fjalë për godinën e ish-turizmit në këtë qytet, pronësia e të cilës i është njohur me vendim gjykate një shtetasi.
Por përmbaruesit kanë hasur në rezistencën e administratorit të godinës së ish-turizmit, pranë shëtitores bregdetare dhe personave të punësuar për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e godinës që dhe banojnë në të.
Godina, dikur një nga krenaritë e qytetit të Durrësit, iu ble ish-pronares në vitin 1994 nga kompania arabe “Saudi Brothers Comercial Company”.
Afro 10 vjet më vonë, një pasardhës i birësuar i ish-pronares, përmes një gjyqi me administratorin e godinës, mori në zotërim objektin.
Odisea e gjyqeve për këtë objekt të ngritur në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit nga turistët dhe vendasit, është mbyllur me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë që një kallëzim penal është bërë nga administratori aktual i kompanisë pranë prokurorisë së Durrësit për hetimin e këtij rasti, duke pretenduar se pronësia është siguruar mbi bazën e falsifikimit të dokumentacionit dhe blerjes së gjyqtarëve të cështjes.
Top Channel