Parlamenti “heq dorë nga dieta”

11/10/2010 08:15

Kuvendi “pezullon” kursimet. Institucioni i Parlamentit do të kryejë prokurime publike për blerjen e pjesëve të këmbimit për automjetet, për shërbimin celular për administratën e Kuvendit, për kontratën e shërbimit të internetit me kohëzgjatje 16 muaj dhe blerje materialesh elektronike profesionale.

Pas vendimit të qeverisë nr. 754, datë 15.09.2010, Kuvendi ka marrë të drejtën për të qenë autoriteti kontraktor për kryerjen e procedurave të prokurimit publik. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave rreth një muaj më parë, ka ndaluar të gjitha institucionet të kryejnë prokurim publik mbi vlerën 400 mijë lekë, përveç institucionit të Parlamentit.

Pas vendimeve të kohëve të fundit për ndalimin e kryerjes së prokurimeve publike në vlera të mëdha financiare, qeveria i ka dhënë dorë të lirë Kuvendit për të vepruar në këtë fushë si autoritet kontraktor.

Këshilli i Ministrave, 24 ditë më parë, miratoi vendimin për disiplinimin dhe përdorimin e fondeve buxhetore. Në këtë vendim, qeveria ndalon prokurimet publike nga institucionet mbi vlerën financiare 400 mijë lekë, duke i dhënë të drejtën për të kryer prokurime në mënyrë të lirshme vetëm dy institucioneve, Kuvendit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9643, datë 21.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe të ligjit nr. 10190, datë 26.11.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi të shtojë dy sugjerimet e mësipërme.

Përjashtimisht lejohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si autoritet kontraktor, të vijojë normalisht kryerjen e procedurave të prokurimit për objektet e mëposhtme, si “blerje materialesh elektronike profesionale”, “blerje pjesësh këmbimi për automjete”, “blerje materialesh elektrike”, “kontrata për shërbimin e internetit, me kohëzgjatje 16 muaj”, “shërbimi celular për administratën e Kuvendit”.

Deputetët e Kuvendit kanë miratuar në një mbledhje të fshehtë të Komisionit të Ekonomisë mosshkurtimin e faturës financiare për Parlamentin. Kjo bëri që edhe pas heqjes së makinave dhe shoferëve nga administrata e Kuvendit, deputetëve të mos i mungojnë privilegjet. Paga aktuale mujore e një ligjvënësi shkon mesatarisht 139 mijë lekë, pagesa telefonike 17 mijë dhe dieta ditore është ndarë sipas kategorive dhe zonave ku ata janë zgjedhur deputetë, e cila në ditë kap një vlerë prej rreth 6 mijë lekësh. Për çdo mbledhje komisioni ata paguhen 2 mijë lekë, ndërsa kryetarët e grupeve parlamentare 5-15% mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit. Dy kryetarët e grupeve më të mëdha marrin 20 mijë lekë tarifë celulari në muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA