Kosova është gati për pritjen e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.Në çdo kënd të kryeqytetit kosovar tashmë janë vendosur fotografitë e saj, duke i uruar mirëseardhjen. Kjo është vizita e parë e Hillary Clintonit në Prishtinë, që nga marrja e detyrës në krye të Departamentit të Shtetit.

Dy ditë para vizitës së sekretares Clinton, Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e duhura që gjithçka të shkojë sipas protokollit.
 
Megjithëse policia nuk bën të ditur se sa është numri i policëve që do e sigurojnë këtë ngjarje, zyrtarët e uniformave blu zotohen se, gjithçka do të shkojë sipas planit.
 
Sekretarja amerikane e Shtetit të hënën ka nisur turneun e saj tre ditor në Ballkan. Fillimisht Clinton po qëndron në Sarajevë më pas do të shkojë në Beograd dhe mërkurën do të jetë në Prishtinë.
 
Sekretarja Clinton në Prishtinë do të takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.
 
Më pas, Hillary Clinton do të vizitojë edhe Graçanicën, ku do të takohet me drejtuesit serbë të kësaj komune.
 
Në axhendën e zonjës Clinton nuk figuron ndonjë vizitë e shkurtër në sheshin ‘Bill Clinton’ në qendër të kryeqytetit, aty ku shqiptarët e Kosovës për të nderuar figurën e bashkëshortit të saj Bill Clinton ngritën këtë shtatore në shenjë falënderimi për kontributin e ish-presidentit amerikan ndaj popullit të Kosovës.
 
Pas vizitave në Sarajevë, Beograd e Prishtinë, Clinton do të ndalet në Bruksel. Nga drejtuesit e BE-së, Clinton pritet të kërkojë të bëhet e qartë e ardhmja evropiane e Kosovës, ashtu si për të gjitha vendet e rajonit, si mundësi për të çuar përpara reformat.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA