
Safet Sushiç, trajneri i Bosnjë-Hercegovinës, e cilëson Shqipërinë si një kandidate potenciale për vendin e dytë në Grupin D kualifikues të Euro 2012.
Pavarësisht se në këtë grup luajnë ekipe si Franca, Rumania apo Bjellorusia, tekniku i kundërshtarëve të ardhshëm të përfaqësueses shqiptare mendon se kuqezinjtë janë një ekip me potencial.
“Franca është padyshim ekipi favorit në grupin tonë, ndërsa për vendin e dytë luftojmë ne (Bosnja), Rumania, Shqipëria dhe Bjellorusia. Mendoj se vetëm Luksemburgu nuk ka asnjë shans”, ishin fjalët e Sushiç për gazetën kosovare “Express”. Gjithsesi, drejtuesi i stolit boshnjak theksoi se pas shtatë ndeshjeve pozitive, tashmë për Shqipërinë ka ardhur momenti që të humbasë. Ai ka theksuar se Bosnjë-Hercegovina do të paraqitet në Tiranë vetëm për të marrë tri pikët, ndërsa nuk trembet nga atmosfera në “Qemal Stafa”: “A i trembem Shqipërisë? Shqipërisë i ka ardhur koha të pësojë humbje. Sigurisht që një ekip që ka 7 ndeshje pa humbje është i mirë dhe kualitativ. Ata luajnë mirë dhe siç thashë kanë ekip, trajner dhe futbollistë të mirë. Por, ne synojmë të fitojmë kundër Shqipërisë. Mendoj se shanset janë të barabarta”.
Top Channel